Kërcënimet për sigurinë që dalin nga radikalizmi në hapësirën e komunikimeve elektronike dhe mënyrat si të parandalohen tentimet për keqpërdorim të tyre nga ana e organizatave terroriste ndërkombëtare janë tema diskutimi të konferencës ndërkombëtare që në organizim të programit të NATO-s për paqe, Akademisë Ushtarake të RM-së dhe Akademisë bullgare të Shkencave prej sot mbahet në Ohër. Ministri i Mbrojtjes Zoran Jolevski i cili mbajti fjalim para pjesëmarrësve në tubim sqaroi se pesë ditët e ardhshme ligjërues prej më shumë vendeve anëtare të NATO-s dhe të rajonit do të diskutojnë për mënyrat si shtetet të ballafaqohen me kërcënimet e rritura në sigurinë kibernetike gjegjësisht në drejtim të uljes së radikalizmit te të rinjtë që rekrutohen në SHI dhe organizata të ngjashme terroriste.
“Bëhet fjalë për një konferencë të rëndësishme sepse jep mundësi që ekspertët nga Republika e Maqedonisë dhe nga rajoni të fitojnë njohuri më të mira dhe më adekuate nga kjo sferë, me qëllim të jemi më të suksesshëm në ballafaqimin me sfidat”, tha ai. Sa i përket situatës në Maqedoni, Jolevski theksoi se me kujdes ndiqet. Nga aspekti i radikalizmit të kërcënimeve terroriste për sigurinë, ai sqaroi se SHI-ja muajt e fundit shënon humbje të mëdha në fushëbeteja, por siç tha, kjo nuk do të thotë se ka vend për relaksim, përkundrazi, situata duhet të ndiqet dhe të punohet në përforcimin e institucioneve, të punohet në zhvillimin e masave për ballafaqim me sfidat.
“Maqedonia është e sigurt, por mundësitë për krizë me fluks të ri të refugjatëve imponojnë nevojën për zhvillim të strategjisë përkatëse për veprim në kushte të tilla”, theksoi Jolevski. Në takimin në Ohër që është ngjarja e tretë e këtij lloji, marrin pjesë përfaqësues të strukturave të sigurisë të 15-të shteteve, kryesisht nga rajoni, por edhe nga SHBA-ja, Turqia, Italia dhe Izraeli.