Omer XHAFERI
Shkup, 21 mars – Ardhja ime në Kumanovë kishte për qëllim formatimin dhe rregullimin e një rrjeti të kompjuterëve. Kështu e arsyetoi qëndrimin e tij në Lagjen Trimave i akuzuari i radhës i “Grupit të Kumanovës”, Mirsad Qerimi, i cili në cilësinë e dëshmitarit të martën theksoi se ftesën për në Maqedoni i ka bërë punëdhënësi tij, Beg Rizaj, shkruan gazeta KOHA. Ai theksoi se lidhja e tij me të ndjerin Beg Rizaj, daton prej rreth dhjetë vitesh, ndërsa para trupit gjykues potencoi se brenda kësaj kohe ka qenë sipërmarrës i një zyre për rregullimin e ueb faqeve dhe dizajnimin e tyre. “Më 1 maj të 2015, Begu më ka thirrur dhe më ka thënë se duhet të shkojmë në Maqedoni, për t’i rregulluar do kompjuterë. Gjatë kësaj kohe unë kam qenë i angazhuar si punëtor në lokalin e tij në Prishtinë. S’i çdo herë, edhe kësaj radhe nuk mundesha ta refuzojë se ai më ka kryer shumë punë. Dhe, pasi i kompletova sendet e mia personale, përfshi edhe pasaportën u nisëm me Begun drejt kufirit. Kur arritëm në pikën kufitare, unë i dhashë pasaportën atij, ndërsa më tha se nuk na duhet këtu. Ndërsa, gjatë kësaj kohe u mblodhën edhe persona të tjerë të cilët nuk i njihesha fare, të veshur me uniforma dhe disa të armatosur. U habita kur i pashë këta dhe e pyeta: Beg çka po ndodhë kështu? Mu përgjigj: ‘S’ke pse mërzitesh, të gjithë janë njerëz tanë’. Dhe në këtë mënyrë, duke mos e ditur se ku po shkoj, u futëm në Maqedoni”, tha i akuzuari Qerimi. Deri sa kanë arritur në “Lagjen e Trimave”, Mirsadi sqaroi se disa herë kishte tentuar të njoftohet për atë se çka në realitet është duke ndodhur, megjithatë Beg Rizaj i kishte thënë se nuk duhet shqetësuar. “Kur arritëm në Lagjen e Trimave dhe pasi u vendosëm në njërën prej atyre shtëpive, përsëri e pyetsha Begun se ku janë kompjuterët, ndërsa më bëri me dije se së shpejti do të mbarojë me punë dhe më pas jam i lirë që të kthehem për në shtëpi. Pyetjen e ngjashme ia kamë bërë disa herë sa kemi qëndruar në atë lagje, por prapë nuk më ka lejuar që të kthehem, duke më thënë se mund të vritem nga policia”, potencoi Qerimi. Disa muaj pasi është futur në paraburgim e deri më tani, i akuzuarit Qerimi tha se i është shfaqur një sëmundje, të cilin ai gjatë dhënies së dëshmisë nuk e përcaktoi se për çfarë sëmundje bëhet fjalë.
KAM QËNDRUAR ME BEGUN DHE MIRSADIN
Për dallim nga shumica e grupit të Kumanovës, të cilët janë dorëzuar orët e para të pasdites së 9 majit, Mirsad Qerimi, ditën e 9 majit ka qëndruar së bashku në shtëpinë ku ka qenë i pozicionuar Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecajn. Duke e sqaruar ndejën me këto dy persona shumë të përmendura në këtë proces, Qerimi tha se pasi i ka hyrë flaka shtëpisë së parë, ata janë vendosur në të dytën, respektivisht në shtëpinë e tretë, nga e cila dhe janë dorëzuar me 9 maj rreth orës 21:30. “Pasi u dorëzuan pjesa e parë e grupit, Begu tha se edhe ne se shpejti do të dorëzohemi dhe kështu ne tentuam të dorëzohemi. Mirëpo, papritmes filluan të shtënat e mëdha, prej ku u vranë dy pjesëtarë të grupit, emrat e të cilëve nuk i di. Pesë minuta pasi ndodhi kjo vrasje, të shtënat u ndalën dhe ne filluam të dorëzohemi një nga një. Fillimisht ka dalë Andi Krasniqi –Malisheva, pastaj i dyti Esat Kafegjolli, i treti Beg Bajraj , i katërti kam qenë unë dhe pas në rend për t’u dorëzuar ishin Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj. Çka ka ndodhur me ata më pas nuk e di, deri sa unë jam dorëzuar, ata kanë qenë të gjallë. Ndërkaq, pasi më kanë shtrirë për toke policia më ka pyetur se si quhem, kur e kanë kuptuar se e kam emrin Mirsad, një polic me shpejtësi e ka nxjerrë revolen dhe ma ka vendosur në kokë, duke me thënë shpejtë përgjigjur se si e ke mbiemrin. Kur unë i thash se jam Mirsad Qerimi, i njëjti e ka kthyer revolen në brez dhe ma ka goditur në fytyrë. Pas kësaj dhe pas maltretimeve në stacion të policisë, një policë më është afruar më ka goditur me një shufër hekuri dhe ma ka bërë me dorë, se Mirsad Ndrecajn e kemi likuiduar”, shtoi mes tjerash Qerimi.
ZEKAJ NUK I PRANON AKUZAT E PROKURORISË PUBLIKE
Duke u mos u futur në përshkrimin e ngjarjeve se si janë futur ilegalisht në Maqedoni, i akuzuari Valdet Zekaj, gjatë rrëfimit të tij para trupit gjykues, tha se nuk i pranon akuzat e Prokurorisë Publike, duke shtuar se në Kumanovë ka ardhur pasi Marrëveshja e Ohrit nuk është përmbyllur. “Ju vetë na keni thirrur. Kanë kaluar mbi 11 vjet dhe ende nuk ka asnjë prokuror apo gjykatës shqiptar. Lidhja ime me këto troje daton me shekuj. Amaneti i gjyshesh time, me prejardhje nga Koçani, ka qenë se duhet mbrojtur shqiptarët ku do që janë. Pas sulmit në karakollin e Gushincës, unë personalisht e kamë incizuar Mirsad Ndrecajn, i cili mbajti një fjalim dhe i njëjti duhej lëshuar si komunikatë drejtuar popullit dhe pushtetit në Maqedoni. Kjo kumtesë nuk e di pse nuk u publikua, por e di se ne në Kumanovë nuk është dashur të hymë para se kjo të shpallet në publik. Sidoqoftë, pas sulmit në këtë karakoll, dyshimet e mia janë shtuar dhe nuk kam pranuar të kthehemi mbrapa. Mirëpo, personat me të cilat kanë kontaktuar Mirsadi dhe Begu, të cilët unë nuk i njoh, ju kanë dhënë urdhër që të kthehemi”, tha Zekaj, gjatë dhënies së dëshmisë. Procesi gjyqësor “Lagja e Trimave”, me prezantimin e dëshmie nga të akuzuarit parashihet të vazhdojë me datë 23 mars (e enjte).
“DONIN TË NA HELMONIN ME QEBAPË”
Në mënyrë shoqërore, por me një zë të lartë, i ndikuar nga monotonia dhe situata palakueshme në të cilët janë gjetur pjesëtarët e këtij grupit, ka ndikuar që Zekaj miqësisht të fjaloset me Begun dhe Ndrecajn. “Të dyve ju kam thënë se a nuk po e vëreni se për çdo ditë jemi duke u rrethuar më tepër, por prapë më kanë thënë se situatën e kanë nën kontroll. Ata nuk kanë qenë komandantët e grupit, për arsye se komandantët nuk zbatojnë urdhra, por ata kanë pranuar urdhra. Nga kush, unë nuk e di. Me 8 maj, një djalë na ka informuar se disa pjesëtar të policisë nga rruga kryesore janë duke na xhiruar. Në këtë rast jam paraqitur s’i vullnetar dhe me veshje civile, me papuçe ka shkuar në afërsi të tyre. Ato, duke parë se u jam afruar, menjëherë e kanë ndezur veturën dhe janë larguar. Brenda kohës një djalë të cilin nuk e njohja, na ka sjell një qesë me qebapë dhe bukë. Nuk e di pse, por dyshova ndaj ushqimit të cilin ai solli dhe këtë e vërtetova më vonë se këto qebapë, të cilët ai tha se kishte siguruar nga një qebaptore e njohur nga Shkupi, janë të helmuara”, shtoi Zekaj. (koha.mk)