Ceremonia e 89-të e Çmimeve Oscar po afron dhe si çdo vit, admiruesit, kritikët dhe njohësit e Hollivudit janë të ndarë se cili kandidat duhet të marrë trofenë e çmuar. Megjithëse ideja është se filmat gjykohen për meritat e tyre artistike, janë gjithashtu edhe konsideratat politike që mund të përcaktojnë fituesin. Muzikali nostalgjik i Damien Chazelle-it, La La Land konsiderohet nga shumë si fituesi i padiskutueshëm i çmimit Oscar. Filmi i përket kategorisë së muzikalëve hollivudian, ka një kinematografi të shkëlqyer, muzikë të mirë dhe një histori prekëse. Por, a është ky film me aq vlera sa për t’u propozuar për 14 kategori, një numër i barabartë ky vetëm me dy filma të tjerë në historinë e Hollivudit: dramën e viteve 1950 “All About Eve” nga Bette Davis, dhe “Titaniku” i James Cameron-it. Giovanna Chesler, drejtoresha e programit të Studimeve për Filmin dhe Videon në Universitetin Mason, thotë se si në çdo fushatë tjetër, reklamat e fuqishme dhe paratë janë shpesh më të rëndësishme sesa meritat artistike. “Kjo bëhet në mënyrë që të sigurohet tregu për këta filma. Pra, është një makinë e madhe për marrëdhëniet me publikun që fillon punën kur shpallen kandidaturat”, thotë ajo. “Akademia u kritikua që anëtarët e saj ishin përgjithësisht burra të bardhë, kryesisht jo homoseksualë, që përcaktonin si kandidimin ashtu edhe votimin. Ata bënë përpjekje për një përfaqësim më gjithëpërfshirës në procesin e votimit”, thotë zonja Chesler. Zhvillimet politike mund të kenë gjithashtu ndikim. Veprimet e presidentit Trump për imigracionin i kanë vënë përsëri refugjatët në qendër të vëmendjes. Dokumentari i Giancarlo Rossit “Fire at Sea” tregon përpjekjet e shpërtimit të imigrantëve në ishullin italian Lampedusa. Shumë refugjatë arrijnë të shpëtojnë kurse të tjerët gjejnë vdekjen në këtë proces.