Driton ZENKU
Gostivar, 13 janar – Nga qyteti i Gostivarit mund të numërohen me gishtat e njërës dorë veteranët e gazetarisë shqiptare. Të paktë janë ato intelektual që ushtruan profesionin e gazetarisë në sistemin e kaluar politik, por edhe në vitet e para të pluralizmit. Një nga ato është Nazif Selimi, i cili pjesën më të bukur të jetës ia kushtoi gazetarisë, shkruan gazeta KOHA. Nga viti 1971, gati tre dekada ushtroi profesionin e gazetarit në Radio Shkup, programi në gjuhën shqipe. Fillimisht u angazhua në redaksinë e politiko-shoqëror për të vijuar pastaj në përgatitjen e emisioneve dokumentare. Kur flet për gazetarinë, Selimi shpreh mbresat, kujtimet, përvojat jo çdoherë të lakmueshme, dhe mbi gjitha bindjen se aspak nuk është penduar që për profesion të jetës zgjodhi gazetarinë. Duke folur për profesionin e gazetarisë, Selimi vëren një hendek mes të kaluarës dhe të tashmes. Kur flet për periudhat më të hershme, thotë se gazetari kishte një rol shumë të rëndësishëm në shoqëri. “Puna e gazetarit vlerësohej jashtëzakonisht shumë. Kur gazetari trokiste në derën e ndonjë institucioni, pritja ishte shembullore nga i pari i institucionit e deri tek roja. Tani kam bindjen që nuk ndodh kjo gjë. Gazetari shpeshherë përbuzet, nënçmohet dhe nuk i dihet vlera. E them me dhimbje, sepse, në botën përparimtare gazetari ka një pozicion të mirëfilltë në shoqëri. Por, kjo gjendje jo e lakmueshme nuk duhet të demoralizon gazetarin për të vijuar tutje. Shoqëria ka nevojë për gazetarët. E paramendoni dot jetën, shtetin, shoqërinë pa gazetarë dhe mediume ? Është e pamundur”, thotë Selimi, i cili pos trajtimit në aspektin njerëzor vëren që në periudhën e kaluar edhe kushtet financiare të punës ishin më të favorshme për gazetarët. Gazetaria llogaritet letërsi e shpejt dhe krijimtaria e përditshme gazetareske jo çdoherë i reziston kohës. Por veprimtaria e Selimit nuk e pati këtë fat. Natyra e emisioneve e cila trajtonte tema kryesisht historike të popullatës shqiptare në Maqedoni, por edhe kujdesi i tij që me vendosmëri të ruaj ato, veprimtarinë e tij gazetareske e bënë të pavdekshme. Se profesionin e gazetarisë nuk e bëri vetëm sa për të plotësuar normën e punës për të marrë një rrogë mujore, tregon fakti që pasi u largua nga gazetaria, ai punimet e realizuara i sistemoi në një libër të veçantë publicistik. Libri “Dëshmi të gjalla”, paraqet një dokument të rëndësishëm historik dhe ngërthen në vete përshkrimin e historisë së popullit shqiptar në periudhat kohore 1912-1913 dhe 1940-1960. Selimi arriti që nga gojëdhënat e siguruara përmes intervistave me personalitete të ndryshme në emisionet e tij dokumentare, ti paraqes në formë të shkruar. Ky libër paraqet një kontribut publicistik i literaturës dokumentare. Historia vonohet, por kurrë nuk harron, siç nuk kanë harruar personat të cilët rrëfejnë për periudhën kur fatit të kombit shqiptar duket se i drejtohej me tërë kombit shpata e pabesisë, kjo shpat me dy tehe nga njëra anë helmonte për mashtrim dhe nga ana tjetër godiste për shfarosje. Këto mashtrime autori i librit nëpërmes emisioneve dokumentare në mënyrë të sinkronizuar i radhit në faqet e librit i cili pati fati të botohet dhe pastaj edhe të ribotohet. Libri trajton shumë etapa të historisë, duke filluar nga të dhënat për kryengritjen shqiptare që iu bashkëngjitën kreshnikët e Rekës së Epërme, kryqëzimin e shqiptarëve që e quan më të keq se një masakër, të dhënat mbi veprimet çnjerëzore të çetnikëve serb mbi banorët e fshatrave shqiptare të Gostivarit, rastin famëkeq të Monopolit në Tetovë, si dhe portrete mbi personalitete të shquara kombëtare, siç ishin Lokë Llakavica, Mustafa Tërnica, Ibrahim Ibraimi, Sali Lisi, Imer Sërmnova, Selajdin Huesini, Mustafa Veseli, Memet Murtezan – Gega, Abdylhaqim Dogani, si dhe për shumë personalitete dhe familje shqiptare që ishin cak i pushtuesve të kohës. Selimi përshkruan hollë e gjatë edhe masakrat masive të ndodhura ndër shqiptarët e Maqedonisë. “Praktika tregon se popujt liridashës që në historinë e vet s’kanë pushtuar ndonjë vend dhe që kanë qenë për paqe më në fund kanë pësuar nga ata që gjithmonë opsion kanë pasur luftën. Pikërisht nga këto opsione Ballkani kurrë s’ka pasur qetësi. Historia e gjatë është kjo e mbushur me plotë tragjedi dhimbje e trishtime për të cilën dëshmon vargu i robërimeve të shqiptarëve në vatrat e veta etnike dhe vargëzimi i piramidave pingule që përshkojnë trupin kombëtar shqiptar dhe që përbëjnë plagë të rënda, nga të cilat burojnë gjak, dhimbje dhe lot”, thotë Selimi, duke folur për motivin që e shtiu që ta botonte këtë libër. Selimi lindi në vitin 1943 në fshatin Llakavicë të Gostivarit. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje. Pas kryerjes së shkollës së mesme, një vit punoi si mësues në fshatin Gjenovicë të rrethinës së Gostivarit, për të vijuar pastaj studimet në Fakultetin e Shkencave Politike në qytetin e Novi Sadit. Pas diplomimit u inkuadrua si profesor në gjimnazin e Gostivarit, por aspirata e tij ishte gjithmonë gazetaria. Kështu, prej vitit 1971 punon si gazetar në Radio Shkup, në redaksinë e emisioneve politiko – shoqërore. Prej vitit 1983 ka punuar në emisionet dokumentare, në të cilat gjithnjë ka është përpjekur që realizimi i emisioneve për bazë të kenë gjurmimin e vërtet të ngjarjeve tragjike të shqiptarëve të Maqedonisë perëndimore. Kjo ishte edhe një nxitje që autori i librit “Dëshmi të gjalla” materialet e grumbulluara gjatë punës së tij gazetareske gjurmuese me personat që kanë përjetuar gjenocidin e periudhës 1912-1913 dhe të periudhës 1940-1960 t’i botoj në librin “Dëshmi të gjalla”. Aktualisht, Selimi jeton ditët e pensionit në qytetin e Gostivarit, i rrethuar nga nipërit dhe mbesat e tij.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.