Ethet e Ligës së kampionëve vazhdojnë edhe sonte, ku në program do të jenë dy supersfida. Në “Santiago Bernabeu” Reali i Madridit do të pret Napolin, ndërsa Bajerni në “Allianz Arena” do të jetë nikoqir i skuadrës angleze Arsenal. Pa dyshim se ndeshja e cila zgjon interesim më të madh është ajo mes Realit dhe Napolit. Skuadra italiane në Madrid shkon të sfidojë Realin, dhe në këtë ndeshje hyn me një seri të suksesshme ku në Serie A, nuk dinë se çka është disfata në shumë ndeshje me radhë, andaj ata shpresojnë në rezultat pozitiv. Mirëpo, tradita është në anën e madrilenëve , pasi asnjëherë nuk kanë shijuar disfatën në takimet me skuadrën italiane. Përballjet e fundit në Kupat evropiane datojnë nga viti 1987/88, kur Reali fillmisht mundi Napolin e Diego Maradonës, me 2-0 në stadiumin “Bernabeu”, ndërsa në ndeshjen e kthimit nuk kishte fitues pran rezultatit 1-1.
Në prag të kësaj sfide, skuadra italiane ka marr një lajm të mirë e ajo është që futbollisti shqiptar Elseid Hysaj do të jetë i gatshëm të luajë kundër Realit të Madridit. Pas aludimeve se ai do të mungojë në këtë supersfidë, vjen edhe lajmi përgënjeshtrues nga mediat pranë klubit napoletan. Hysaj ka zhvilluar seancën e radhës stërvitore me Napolin para ndeshjes në Spanjë ku ka marrë ngarkesë të plotë. Mbi gjendjen e lojtarit trajneri Sarri nuk ka pasur asnjë dyshim dhe e ka grumbulluar për ndeshjen e sotme. Ndërkohë, pritet që Hysaj të jetë edhe titullar në një sfidë kaq të rëndësishme. Ndërkohë, pas dy ditëve mungesë në stërvitje, ylli i Real Madridit, Kristiano Ronaldo ka stërvitur dje normalisht me pjesën tjetër të skuadrës. Portugezi kështu tregon se është gati dhe sonte do të jetë nga minuta e parë ndaj Napolit. Për këtë ndeshje trajneri Zinedin Zidan ka 24 lojtarët e gatshëm për të luajtur, përfshirë këtu edhe Geret Bejll, që po stërvitet me skuadrën që nga e diela.
Mjaft nxitje pritet të sjell takimi mes Bajernit dhe Arsenalit. Skuadra bavareze në vitin 2013 dhe 2014 ishte skuadra që u kualifikua më tej në përballjet me gjigantët anglez, ndërsa vitin e kaluar, sërish Bajerni, ishte më i suksesshëm në përballjet në grupe në Ligën e Kampionëve. Çabi Alonso rrezikon të mos luajë në ndeshjen e së mërkurës me Arsenalin në “Champions League”. Mesfushori i Bajernit dje u desh të ndërpriste stërvitjen, duke u detyruar të largohej drejt dhomave të zhveshjes me makinë golfi, pa qenë në gjendje të ulte këmbën në tokë. 35-vjeçari dëmtoi gjurin gjatë një dueli me shokun e tij të skuadrës, Javier Martinez. Spanjolli u shtri përdhe me një fytyrë që rrëfente dukshëm dhimbjet e tij. Pasi e ndihmuan fizioterapistët, ai nuk u kthye më në stërvitje. Klubi nuk i alarmoi tifozët dhe njoftoi se Xabi ka vetëm një shqetësim pas stërvitjes, por “Bild” shkruan se faktikisht nuk është kështu. Sipas gazetës gjermane, mungesa e mesfushorit do të ishte një lajm shumë i keq për trajnerin Karlo Ançeloti, sepse ai vijon të jetë lojtar vendimtar në 11-shin bavarez. Nëse Alonso nuk do të luajë në sfidën e parë në “Allianz Arena”, ai do të ishte mungesa e tretë e rëndësishme e Bajernit, përveç gjermanit Zherom Boateng dhe yllit Frank Riberi.
Robert Levandovski është në dijeni për forcën që ka kundërshtari i tyre, por paralajmëron ‘Topçinjtë’, se nëse Bajerni luan ashtu siç di ata do t’i kenë gjasat shumë të pakta që të kualifikohen tutje. “Të gjithë jemi duke e pritur këtë ndeshje. Do të jetë një sfidë e madhe për ne. Shpresoj që të shfaqim një lojë të mirë këtu në Munih. Arsenali ka shumë lojtarë të mirë, që dinë si të luajnë në Ligën e Kampionëve. Ne duhet të koncentrohemi te ekipi ynë dhe nëse luajmë lojën tonë atëherë ata nuk do të kenë mundësi që të bëjnë asgjë ndaj nesh. Por për të arritur këtë duhet të luajmë mirë nga mbrojtja e deri në sulm”, deklaroi Levandovski. Kujtojmë se Bajerni ka eliminuar Arsenalin tre herë në katër vitet e fundit. Dy supersfidat e ditës së sotme do të fillojnë në terminin e zakontë, ora 20.45.