Rafael Nadal ka fituar sot për të dhjetën herë në karrierën e tij turneun Masters të Montekarlos, një rezultat fantastik i tenistit spanjoll, që në finale mundi 2-0 (6-1, 6-3) patriotin e tij Albert Ramos. Në fushat me dhè të principatës, Nadal konfirmoi edhe një herë se është një përbindësh, turne të cilin ai e ka “personalizuar”, pasi askush nuk ka mundur të fitojë kaq shumë herë një turne të vetëm tenisi. Ky është suksesi i parë i këtij viti për spanjollin, që pasi ka humbur në 3 finale (Australian Open, Akapulko dhe Majemi) arrin të triumfojë në turneun e tij të preferuar, në Montekarlo.
Nadal nuk fitonte një turne prej gati një viti, pasi suksesi i fundit ishte arritur në turneun e Barcelonës (24 prill 2016), ndaj për spanjollin ky mund të jetë një start i ri. Ndeshja e sotme finale ishte një formalitet për ish-numrin 1 në botë, që i dominoi të dyja setet ndaj Ramos, takim që zgjati diçka më shumë se 60 minuta. Nadal dominoi gjatë gjithë kohës, ishte agresiv në shërbim dhe konfirmoi se kjo sipërfaqe është e preferuara e tij, ku është një mbret. Në fakt, Nadal nuk ka humbur asnjë ndeshje finale në një turne ndaj patriotëve të tij, çka e konfirmoi edhe sot ndaj Ramos. Për spanjollin nis festa, duke treguar se në fushat me dhè rivalët do ta kenë të vështirë.