Një serb ka mbetur i vdekur në Siri përderisa po luftonte si vullnetar më luftëtarët e Rusisë, transmeton Gazeta Metro. Lajmin e ka bërë të ditur grupi i tifozëve të futbollit ku viktima bënte pjesë. “Firma”-përkrahësit e grupit futbollistik Vojvodina kanë publikuar në faqen zyrtare të Facebook-ut se 24-vjeçari Dimitrije Sasa Karan, para se të shkonte në Siri, ka luftuar gjithashtu në Ukrainë me rebelët pro rus. Mediat serbe thonë se ai vdiq nga një shpërthim i minës, kurse policia e Serbisë nuk janë përgjigjur për këtë rast. Rusia ka mbështetur presidentin sirian Bashar Assad në konfliktin e zhvilluar më së shumti përmes sulmeve ajrore, mirëpo edhe përmes trupave tokësore. Një numër i serbëve nacionalistë i janë bashkuar Rusisë si vullnetarë, duke vënë në pah edhe një herë qëndrimin e tyre të fortë pro Rusisë.