Evis HALILI
Shkup, 9 mars – Disa ditë pas tentativave për t’i vënë zjarrin Muzeut të Alfabetit në Manastir ky institucion ka kërkuar nga Ministria e Kulturës për të shtuar masat e sigurisë për objektin, shkruan gazeta KOHA. Instalimi i kamerave të tjera të survejimit, si edhe sigurim fizik 24 orësh i ndërtesës. Drejtori Nuer Arsllani, pohon se ngjarjet e fundit kanë rritur pasigurinë jo vetëm për ndërtesën e cila mund të jetë sërish në shënjestër të vandalëve, por edhe tek popullsia shqiptare në atë zonë. Sidomos në këtë fazë kur për dyqanet e katit të parë Ministria ka dhënë pëlqimin që në pamundësi për t’i blerë, apo kompensuar t’i marrë me qera.
“Çështja e pazgjidhur e pronësisë në fakt sikur e ka ruajtur objektin. Meqenëse pronari i katit të parë është maqedonas edhe sulmet kanë qenë më të kujdesshme dhe kanë pasur në shënjestër pjesë të veçanta të objektit, si derën hyrëse, mbishkrimin, e të tjera. Por situata politike është e tillë që e shton pasigurinë. Prandaj edhe kemi kërkuar që të paktën objekti të ketë roje 24 orëshe, pasi që policia nuk mund ta ruajë gjatë të gjithë kohës dhe për këtë do të angazhojmë ndonjë agjenci sigurimi, do të instalojmë edhe dy kamera të tjera vëzhgimi. Në fakt edhe policia është më e angazhuar këtë herë që të gjejë autorët dhe si asnjëherë më parë edhe subjektet politike maqedonase kanë treguar interesim dhe gatishmëri menjëherë pas ngjarjes që ky incident të mos marrë përmasa të tjera”, thotë për KOHA, Arsllani.
Muzeu i Alfabetit është sulmuar dy herë brenda këtyre katër muajve, në vigjilje të shënimit të Kongresit të Manastirit, më 22 nëntor dhe në Ditën e mësuesit, 7 mars. Dëmet kanë qenë të vogla, thyeje xhamash dhe mure të zhargavitura, por nëse i tërë objekti do të kishte qenë muze, drejtori nuk e përjashton as mundësinë e shkatërrimit të plotë të tij. Sulme të ngjashme kanë pasur në vite, ndërsa autorët nuk janë arritur të identifikohen nga policia. Këto ditë policia e Manastirit ka bastisur disa shtëpi dhe vazhdon hetimet për zbardhjen e rastit, ku për herë të parë ka edhe persona të dyshuar. Godina e muzeut pjesërisht është blerë nga një individ disa vite më parë, por edhe pas restaurimit të saj dhe inaugurimit si institucion nacional autoritetet e kulturës ende nuk kanë gjetur një kompromis me pronarin, për ta kompensuar, apo për t’ia blerë objektin. Për vite me radhë pavarësisht angazhimit edhe të Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe marrëveshjeve të bashkëpunimit mes dy ministrive, ende nuk është realizuar asnjë projekt konkret. Paradoksi bëhet edhe më i madh kur muzeu në muajin nëntor inauguroi 11 figura në silikon dhe dhomën ku u nënshkrua dokumenti për Alfabetin e gjuhës shqipe. Ndërkohë që vetë objekti, pavarësisht këtij investimi kapital është në një gjendje të keqe. Restaurimi total ka një kosto që kalon 350 mijë eurot dhe mund të realizohet vetëm nëse do të mbështet nga fondet e zhvillimit IPA.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.