Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se Serbia me veprimet e fundit ka për qëllim destabilizimin e Kosovës. Sipas saj, muri i ndërtuar në afërsi të urës mbi lumin Ibër, do të rrënohet, ashtu siç u ndalua edhe treni.
Kosova zyrtare vlerëson se dialogu në mes të Prishtinës dhe Beogradit, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mbetet rruga kyçe në arritjen e një fqinjësie të mirë, dhe plotësimin e një kushti esencial nga dy shtetet, në rrugën e nisur drejt anëtarësimit në BE.
Por, në anën tjetër, ndërtimi i murit mbi lumin Ibër të Mitrovicës ngriti dukshëm paknaqësinë lidhur me këtë dialog, duke shtuar bindjen se Kosova po shkon drejt ndarjes, e edhe e ardhmja e dialogut po vihet në dilemë.
Ministrja për Dialog në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, duke folur për Gazeta Metro lidhur me murin, ndërprerjen eventualisht apo riformulimin e dialogut, si dhe arrestimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj nga autoritetet franceze me bazë fletëarrestin serb, vlerëson se Serbia po tenton ta kthejë situatën në pikën zero.
Megjithatë, Tahiri ka zgjedhur të mos komentojë çështjen e dialogut, sepse sipas saj Serbia me këto politika agresive po i bën dëm edhe vetë dialogut për paqe dhe fqinjësi të mirë.
“Në këtë fazë të tensoneve dhe të provokimeve destabilizuese nga ana e Serbisë, nuk do të pronocohem për çështjet e dialogut, sepse Serbia me këto politika agresive ndaj sovranitetit të Kosovës, e sulmoi edhe vet dialogun për paqe e fqinjësi mes dy shteteve”, deklaroi Tahiri për gazetametro.net.
Tutje, e pyetur nëse Serbia po provokon me rastet si treni, muri në veri, arrestimi i të parit të AAK-së, ajo tha se për një gjë të tillë ka lajmëruar Bashkimin Evropian, dhe se sipas saj fjalën e ka bashkësia ndërkombëtare.
“Për të gjitha këto provokime me rreziqe për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon, ju kam drejtuar me letër BE-së, ka qenë publike. Mendoj se fjalën e ka faktori ndërkombëtar që të angazhdohet dhe po angazhohet për ta kthyer procesin e dialogut në binar, të cilin Serbia e nxori nga binarët, me trena, mure, bomba e fletëarreste ndaj luftëtarëve të UÇK-së siç është edhe rasti i Ramush Haradinajt”, është shprehur Tahiri.
Por, ajo nuk ka komentuar më shumë lidhur me arrestimin e Haradinajt, duke thënë vetëm se qëndrimi i qeverisë për këtë rast është bërë i ditur nga kryeministri Mustafa.
“Kryeministri në mbledhjen e qeverisë e bëri të qartë qëndrimin për këto zhvillime, pra ky është qëndrimi ynë si qeveri, përfshirë edhe murin që do të hiqet, ashtu siç vepruam edhe me ndaljen e trenit”, përfundoi Tahiri.
Për më tepër Tahiri nuk u deklarua as lidhur me agjendën e bisedmeve, apo raundin e ri të dialogut.