Zejnulla VESELI
Shkup, 2 shkurt – Ambienti për biznes në Maqedoni po fundoset çdo ditë e më shumë, pasi kompanitë e kanë të pamundur të zhvillohen në një vend ku mungon shteti ligjor, gjegjësisht Qeveria. Kështu për gazetën KOHA e vlerësojnë gjendjen momentale me mos formimin e Qeverisë Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore dhe ekspertë ekonomik, ndërsa konsiderojnë se vendit i duhet një Qeveri e përgjegjshme që ka vizion, që integron objektivat zhvillimore në një plan të përgjithshëm dhe që i orienton resurset e vendit drejt atyre objektivave. “Mos formimi i Qeverisë vetëm se do vazhdojë të mbajë të shtangur fushëveprimin ekonomik të biznesit në Maqedoni. Tashmë dy vite, bizneset vendore ballafaqohen me drojën e mungesës së stabilitetit politik dhe hezitimin e biznesit në përgjithësi për të realizuar programet e veta investuese”, thonë nga OEMVP. Sipas kësaj Ode, në një vend ku vazhdon paqartësia politike, jo vetëm që nuk mund të pritet realizimi i investimeve të reja ose edhe hapja e kompanive të reja, përkundrazi – sfidues ngelet edhe fakti i mbijetesës së kompanive ekzistuese. “Prandaj është e patjetërsueshme të krijohet Qeveria dhe e njëjta të fokusohet në përmbushjen e detyrimeve kushtetuese, por theks të veçantë duke i kushtuar sektorit ekonomik, sepse pikërisht ky sektor e pësoi më së shumti nga ky jostabilitet politik”, thonë nga OEMVP. Meqë biznesi në përgjithësi, por me theks të veçantë në Maqedoni, sipas OEMVP-së, është i ndikuar drejtpërdrejt nga veprimet e politikës, megjithatë kur kemi të bëjmë me një shtet me një sistem kaq të brishtë dhe të paqëndrueshëm, sigurisht që biznesi po shndërrohet në një peng të paarsyeshëm, por edhe me shumë sfida. “Kjo flet edhe për brishtësinë e sistemit politiko-ekonomik në vend, dhe paaftësinë që i njëjti si i tillë të jetë në shërbim të ekonomisë në çdo kohë, dhe jo anasjelltas siç po ndodh tani”, thonë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore. Analisti ekonomik Sinisha Pekevski për gazetën KOHA thotë se tanimë është dëshmuar qartë se kur në Maqedoni kemi zgjidhje, sidomos këto 8 vitet e fundit – më së shumti dëme pëson sektori i biznesit privat në të gjitha aspektet dhe kjo famë e krijuar rreth formimit të qeverisë edhe më shumë po vështirëson të bërit biznes në Maqedoni. “Loja e partive politike se kush do të formon dhe kjo stërzgjatje e afateve për formimin e Qeverisë po ndikon shumë negativisht në punën e bizneseve private. Në përgjithësi gjithçka ka ngecur deh asnjë biznesmen nuk merr asnjë qofshin edhe aktivitet teknike nuk marrin asnjë vendim të zgjerimin të biznesit për shkak të situatës momentale krijuar nga partitë politike”, thotë Pekevski. Njëherësh, Pekevski shprehet optimist se sikur edhe të formohet Qeveria e re se mund të ketë investime të reja nga ana e kompanive vendore dhe atyre të huaja. “Për shkak të krizës politike e cila mund të zgjatë gjatë 6 muajve të ardhshëm nuk besoj se do të ketë investime të reja vendore dhe të huaja sepse të gjithë po kalkulojnë dhe presin se kush do të formon. Edhe më shumë të përkeqësohet ambienti i biznesit për shkak të zgjedhjeve lokale të parapara në muajin maj të këtij viti. Për Maqedoninë, viti 2017 do të jetë vit humbës dhe se shumë shpejtë do të dalin në sipërfaqe pasojat negative për afaristët në Maqedoni për shkak se biznesmenët vendor dhe të huaj Maqedoninë tani më e shohin si një vend që është në një krizë të thellë politike ku për një kohë të gjatë nuk duhet të investohet”, thotë Sinisha Pekevski, analist ekonomik.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.