Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se debati parlamentar për rastin e vdekjes së Astrit Deharit është në interes të drejtësisë dhe të qartësimit të rastit. Ai ka deklaruar se paqartësitë lidhur me këtë vdekje po hutojnë qytetarët dhe po krijojnë pasiguri tek të gjithë të tjerët që janë nëpër qendra të mbajtjes, njëjtë siç ishte edhe Deharit. “Ne jemi për një debat, sepse mendojmë që transparenca i ndihmon edhe kuvendit edhe drejtësisë. Mendoj që sa më parë institucionet e drejtësisë duhet ta japin fjalën e tyre. Qëndrimet e paqarta të zyrtarëve të shtetit kanë krijuar amulli që me të drejtë huton qytetarët. Mendoj që drejtësia i bën nder edhe kuvendit edhe Kosovës. Prandaj duhet debatuar për këtë rast. Në mungesë të drejtësisë sot po krijohet pasiguri për të gjithë ata burra dhe gra që janë në qendrat e mbajtjes nëpër Kosovë. Nëse shteti ka diçka për të fshehur, le ta mbyllë debatin. Por nëse nuk ka, atëherë pse të mos debatojmë”.