Informacioni se ndaj Kombëtares së futbollit izraelite do të kishte një sulm terrorist në Shkodër është dhënë nga njësia anti-terror në Ushtrinë Izraelite, si dhe nga Mosadi, raporton televizioni Klan. Muaj më parë është mundur të zbardhet një telefonate ku Lavdërim Muhaxheri ka folur me shtetas kosovarë. Në këto komunikime, ai i kërkon që të organizohet një sulm ditën e ndeshjes në qytetin verior. Kjo gjë ka alarmuar agjencitë e inteligjencës, të cilat kanë vënë në dijeni autoritet shqiptare dhe kosovare. Menjëherë ka nisur vënia në përgjim e personave të dyshuar në Kosovë dhe më pas janë verifikuar lidhjet e tyre ne vendin tonë. Agjentët e SHISH dhe anti-terrorit arritën të verifikonin lidhjet e këtij grupi në Shqipëri, të cilët jetonin dhe punonin në Shkodër. Për disa muaj u survejuan 4 të arrestuarit Xhezair Fishti, Ergys Fasllija, Bekim Protopapa dhe Medat Hasani. Ata kishin bashkëpunim dhe komunikonin me disa nga te arrestuarit për të njëjtën akuzë në Kosovë. Për këtë arsye u vendos që ndeshja Shqipëri-Izrael të luhej në të njëjtën ditë në Elbasan Arena. Një javë pas arrestimit të katër personave në Shkodrës policia ka shtuar masat e sigurisë edhe ndaj prokurorit të çështjes Eugen Beçi. Mësohet se ai ka marrë kërcënime direkt nga të prangosurit gjatë seancës për vendosjen e masave së sigurisë në Gjykatën e Krimeve të Rënda.