Nga Nazmi BEQIRI
Varianti i parë
Ky vit paska pas hapur pështjellakun për gjithçka pa përjashtim. Mbase i mësuar me vijëzim të normales së përditshme -me plotësime nevojash dhe dëshirash personale dhe shoqërore, më xigluan absurdet që këtë vit (mu dukën të pahijshme) që arritën skajshmërinë. Kjo skajshmëri vijëzon nga legalizimi i të qenit krishterë pa Jezusin, i të qenit mysliman pa imanin, i të qenit shqiptar pa pasjen e vlerave shpirtërore shqiptare. Këtë paraqitje që po e quaj absurde, ma mundësoi puna ime, e shokëve të mi, e popullit tim, pjesëtarët e të cilit dhanë djersë, mund e gjak, e zhganuar përmes lëvizjeve të pandërprera kombëtare që zenitin e arriti përmes ushtrive çlirimtare. Deri në këtë kulmim e kishim falë veten shpirtërisht dhe fizikisht, e pas vulosjes me tri shkronja(ideja e zbatuar nga kënga e vëllezërve Lamallari: “e këtë tokë na e ka da Zoti, e ruajmë fort mot pas moti, e kjo vulë nuk ka të sos, UÇK-ja e ka vulos”) nuk iu largua asnjëherë misionit zhgani i quajtur pararojë. Përjetova fitore, liri, kënaqësi familjare e shoqërore, angazhim profesional e shkencor, madje këtë vit shoh se edhe paskemi ngadhënjyer. Ngadhënjimin e shoh brenda kornizës hyjnore se “…gjendja e një populli nuk ndryshon derisa ai nuk e ndryshon veten”, por me përkushtimin më të madh e pa kurrfarë kursimi, sollëm lirinë e shprehjes së mendimit, madje edhe dëshirës së secilit në vetvete apo në grupe.
Argumente që dëshmojnë arritjen tonë
Bëmë një luftë me një organizim dhe aftësi, sa, jo që ia mërdhimë luftën e kryelartësinë qeveritarëve (edhe të atyre që shkojnë pas saj, jashtë vargut), por edhe falëm çdo spiun – që kishte ardhur për të na dëmtuar, sa liruam edhe atentatorë të porositur. Spiunët, shpirt – robërit, kopilët, plangshitësit, ndërkohë kanë qëndruar të strukur, të fshehur, të nënshtruar, por së fundi, me këtë liri që sollëm, solli lufta e 2001-shit, me sjelljen tonë modeste, edhe kjo specie njerëzish, jo vetëm që e ndien vetën të sigurt dhe ecnin rrugës së jetës lirshëm, por edhe paraqitën grupet e tyre në veprime legale. Radhitje e tajfave – kërpudhore, lulëzuan këtë vit, që nga ata të tipit të libidove e deri te ata që për kolltuk pushteti shndërrohen në tipat e luto – fukarenjve. Të gjitha këto tajfe që përmenda dhe ato të sferave të ndryshme jetësore janë hedhur në logun e politikëbërjes, dhe jo për ta bërë, por për ta keqpërdor atë. Kjo shihet qartë në atë se çdo tajfaxhi në paraqitjet e tija shkrumbon çdo gjë që është krijuar deri më sot dhe për ecjen përpara paraqesin të vetmin obligim që i kanë vënë vetës, deklarojnë se – duhet zhdukur shqiptarët që po prijnë me vendimin e popullit. Këtë vit pati edhe prej atyre që ruanin dhe pastronin vaun e natyrshëm drejtë cifunit frytdhënës. Për fat të keq, këto veprime idealo – misionare ishin më se individuale, qoftë brenda një institucioni, një organizate, partie apo vatre diturie. Nuk munguan fajësimet dhe shfajësimet e mosarritjeve të nevojshme kolektive apo individuale. Mbase pati prej atyre që duke mbi paraqitur dashurinë (kushtimisht thënë nënës), në vend të puthjes, po i japin kafshime e në vend të ledhatimeve – goditje. Këto zbardhje apo legalizime të të gjitha këtyre veprimeve kërpudhore, jo vetëm që shpresoj, por edhe besoj se në vitin që po na vjen do të shkrihen dhe do të bëshnjakohen për jetë. Kurse veprimet e fushave tjera që përmenda, do të korrin edhe më shumë suksese e do të kenë më tepër admirues. Rangut tim i mjafton ky variant i paraqitur, e që mos t’u mbetej asnjë zbrazëtirë.
Varianti i dytë
Në të shumtën e rasteve, te njerëzit përgjegjës, këtë vit, më shumë se kurrë, doktrinë veprimi u janë bërë fjalët e urta: “e jep lekun e merr byrekun” dhe kinse shfajësimi u vjen si motoja e fjalës së urtë “pa qarë fëmija nuk e merr e ëma”. Po të qëndronte kjo, shumë byreku duhej dhënë, ngase jo që është dhënë leku, por është dhënë djersa e gjaku. Na mbetet ta sqarojmë se po kërkohet mbi – leku. Dhe ky mbi – lek i kërkuar, po vazhdoi të kërkohet edhe në vitin që po na vjen, do të dalë mbi kokat e kërkuesve (veç po them…). Dhe më duhet prapë të them se e qajtura e përmendur po dëgjohet rreth nëntë malesh, dhe loti do të kthehet në vërshim. Por, ka një të vërtet që duhet ta them: fëmijën pa qarë nuk e merr e ëma rrospi, ngase nënave të ndershme, as nuk u qajnë fëmijët, as nuk u derdhet qumështi e gjella, as nuk u fiket zjarri, as nuk i mbulon merimanga e as pluhuri dhe çdo gjë në avlëmend gjallon nën ninullat e këngët e saj. Bartësit e kësaj doktrine e kanë gojën mbushur me fjalë që thonë se, nuk ka drejtësi e barabarësi nga etnia tjetër. Se po sillen ligje të mangëta e jo favorizues edhe pse vet i përgatisin e vet i sjellin ato. Dhe jo vetëm që i përgatisin si të tilla, por edhe i fshehin, madje edhe i zhbëjnë dhe nuk i respektojnë. Dhe nga vet këta, të cilët vrapojnë si bujqit para bryme, për pakë sa s’u la gjaku i dhënë për shtetëzim të institucioneve dhe t’i mbulonte ato privatizimi. (Shpëtimi u bë nga ata që nuk kishin të mira materiale nga ajo vatër diturie). Po në këtë mënyrë shumë zyrtar shtetëror, nga të cilët disa edhe përfaqësues të vendimit popullor. Madje edhe brenda sektorit të arsimit, ku pos tjerëve edhe këshilltari për arsim të lartë, fshehu ligjet ekzistuese, në dëm të shumë ligjëruesve… Kurse po u shikua menaxhimi ekonomik, administrata me palë në gjyqe, kadastra e gjithandej, bëjnë punën me yrnekun kadive të Perandorisë Osmane. “Hallemëdhenjtë”, dhe e tërë opozita, ia patën hallin Kumanovës dhe u sollën rreth babës së Xhemail Rexhepit. Dhe, pothuajse askush (së paku jo mjaftueshëm), nuk e pa të arsyeshme t’ia thotë të vërtetën se, Komandant Shqiponja nuk kishte konflikt dhe asgjë të keqe me liderin e tij Ali Ahmetin, por të gjithë potencialin e vet intelektual e fizik e kishte vënë në pritshmëri (disponim) për t’u radhitur si aktivist i tij (partisë së tij). Aq shumë e keqpërdorin këtë baba me dhimbje e hall në zemër, sa që e bënë të shajë komandantin, kryetarin, liderin e birit të vet, i cili po të ishte gjallë dhe ta dëgjonte të atin duke i bërë këto fyerje, në rast se nuk do të kishte vdekur nga marrja do të ishte mbyllur përgjithmonë, për të mos u takuar me shokë dhe bashkëluftëtarë. Sidoqoftë fjala e urtë popullore na mëson se: “I takon të fortit të falë e të prijë për së mbari”, e atyre që luajnë me ndjenja prindërore e patriotike, i “shpërbleftë” Zoti sipas rregullave të Tij.
9 Maji
Tjetri shkas që po përdoret nga politikëbërës të rinj, është edhe rasti i 9 Majit të vitit të kaluar, për të cilin rast nuk do të dinte as vet djalli ku do ta vente si vlerë apo jo vlerë. Aty, … erdhën disa luftëtarë të 2001 – shit dhe u vendosën në familje shqiptare, të cilat po mos të ishin pajtuar me këta luftëtarë përmes ndonjë mënyre, do t’i lëshonin shtëpitë e veta, dhe më së paku do t’i informonin (në mënyrë të drejtë) ish bashkëluftëtarët apo direkt thënë ish komandantin e tyre. Gjë që, logjika thotë se, atyre, për një arsye ose për një tjetër, u pëlqeu prezenca e tyre. Por absurdi vjen pastaj. Kur armët plasën. Kjo përplasje dy grupore që nuk ua dimë arsyen e shtytjes dhe mënyrës së përfundimit, zgjati dy – tre ditë e jo mbi gjashtë muaj, siç ndodhi në fshatrat e Karadakut të Likovës (e më tej), nuk u dëgjua asnjë çirrje, asnjë ankesë, asnjë fyerje, madje as nga fëmijët, por të gjithë ishin stoik, siç përshkruhen veprimet që bëhen në rrugë të Zotit, për këtë të keqe dy – tri ditore, pati çirrje e ankim nga gra e burra, bash në atë mënyrë që nuk i ka hije shqiptarit. Po si nuk turpëroheshin para nënave, motrave e bashkëbijëve të vet të 2001 – shit (edhe këtë e përjetuam…).
Ndoshta ishte stimul. Ndoshta u bë për mos t’u fajësuar e flisnin për një tmerr xhehenemi tre ditor për të cilën kohë njeriu mund edhe të mos urinojë fare. Absurdi është se njeriu s’dinë ku t’i radhitë këta njerëz të cilët kërkojnë lëmoshë e përkrahje morale dhe pranojnë edhe me përqafim e puthje të gjithë, duke përfshirë liderë joshqiptar dhe vetë Ministrin e Punëve të Brendshme (që i kishte gjuajtur aty) sikur të ishin engjëj, dhe jo si pushtetmbajtës e politikëbërës të këtij vendi, dhe fajësojnë e shajnë të vetmin atë që i nxjerri nga xhehenemi siç e quajtën vetë ata që ua rikuperon dëmet, ua ndërtoi shtëpitë edhe më të mira seç i kishin. Ku të duan ta vendosin vetën. Edhe ju që e lexoni shkrimin tim quani si të doni. Por mos tentoni të më bindni se ishte vepër atdhedashurie… A nuk i përngjet kjo fjalës së urtë popullore se: “Qeni i keq ta sjell ujkun në torishtë”. Edhe më absurde është se tajfa e përmendur e politikëbëries, të cilët, në vend që ta ndihmojnë njeriun e procesit, duke i shfrytëzuar ndihmat e premtimet (për ndihma të kthyera në fjalë), shembnin çdo gjë të mundshme e madje edhe aso që si pranon logjika mbi të vetmit dashamirë të kapërcimit të përmbylljes së këtij dëmi (mbase të kërkuar).
Kumanovë, i çuam macet për dobi
Pas ngjarjes së këtyre rasteve, ai organizim pushtetar shqiptar për Kumanovën, jo që mundi të vijëzojë këto vërshime dashakëqija, por u largua, duke përcaktuar kryetarë e kryesi të përkohshme në këtë vend. Ata në vend që ta shtronin problemin në rrugë të Zotit e kanunit, shtuan thashethemet (përmes politikëbëries së tyre të lartë) dhe prunë përfundimin me mund të madh, se, Aliu nuk mund të vizitonte Kumanovën. Me mënyrën “po më këndet, por po më dhemb”, ata, pa apo me vetëdije, vendin e krenarisë së shqiptarisë, të vetmin vend që kishte guxuar dhe mundur t’i thyej vendimet e Kongresit të famshëm të Berlinit, vendin që u shndërrua në vullkan për këmbën e pushtuesve jo njerëzor e kthyen në “vrimë të zezë”. Madje, këtij vend krenarie, që ka ditur të pritë: me zemër, bukë e barot, ia mveshën veset e “fëmijëve zorraxhinj” dhe në vend të mjeteve të përmendura, e gjuan me gurë shpëtuesin e këmbë ngatërruesve, Komandantin e luftës fitimtare. Kështu u duk dhe kështu u paraqit ky vend i im (ynë), të cilin, jo që po e mbroj, se nuk ishte dhe nuk është bërës e as komplotues i këtij turpi ndër shqiptar, por po tregoj angazhimin tim prej dy – tri orësh, me të vetmin qëllim që mos të ndodhte ky turp.
-Porosita njeriun që nuk duhej anashkaluar për një takim për angazhim, zbutje dhe flladitje të zemrës së një prindi pa djalin trim… Më thanë se: “për pesë minuta po e kalojmë kufirin dhe po e nxjerrim jashtë për një mevlud apo qelyme në Preshevë…”
-Kërkova që t’u drejtohem (kinse) protestuesve apo barrikaduesve të rrugëve që çonim në vendin e tubimit të BDI – së. Më thanë se “situata është jashtë kontrollit dhe se nuk mund të bisedohet me ta tani më”.
-Kërkova megafon dhe altoparlant që t’u drejtohem çelas (atyre) bashkëvendësve që e kishin zënë rrugën. – Më thanë se “i siguruam dhe i ke gati”. Posa arrita nga kryeqyteti, pashë se të gjithë këto thënie e premtime, nuk ishte asnjë e vërtetë. Çka të bëja??? U nisa këmbë. Hyra në tubim … Epilogu, ishte trimëri e madhe e kinse kumanovarëve, të cilët, disa prej tyre, dolën shpëtues të liderit, e disa, se, e kishin “gjuajtur djallin me gurë, si në kohën e haxhit”, ABUZIM I PA PARË!!! Në ngadhënjim pasoi “Rruga e Bacit” që si të tillë askush nuk e njihte dhe as që ekziston. Kjo trimëri ishte arsye e një fitimi, ishte inat apo cullakllëk, nuk e di …???
U bënë zbulime të heronjve!!!
Këtë vit nderuam veprimtarë, heronj e dëshmorë (me mundësitë tona). Në këto tubime, në këto nderime, nga larg na u paraqitën disa thënie e dëshmi se: paskëshkam pasur një përgatitës e komandant vendas, por, me të cilin s’ishim takuar kurrë. As që e kisha parë e dëgjuar në fushëbeteja të shumta që i kisha zhvilluar vetëm, por edhe me shumë bashkëvendës e bashkëkombës të mi. Patëm propozime për emërtime shkollash e institucionesh, dhe po pajtohem, por pasi t’i bëjmë ato godina nderi, ngase, një fjalë e urtë thotë: “Një krismë pushke kalon tre milion fjalë”.
Liman i shtrydhur – kthehu nga ke ardhur
Këtë vit ndodhi edhe ajo që “iksat”, t’i shpallin trima strategjish dhe të bindemi se limonët e shtrydhur janë burime ahishtash, por ndodhi “pjellja” e qyqes në çerdhe të huaja. Zot s’qenka kot thënia se: “me i marrë me zor mundesh gjithkujt, por me i dhënë me zor, jo”. Sivjet u rikthye në kujtesë Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, dhe realizoi vendimin e kamotshëm, duke i dekoruar me mirënjohje njerëzit meritorë dhe organizatën , të cilët ndihmuan në organizimin dhe mbarëvajtjen e ushtrisë sonë deri në fitore. Ndihma e tyre e madhe theu barriera të mëdha të kohës dhe të cilët pas kësaj, as nuk përqeshën, as nuk u përfshinë në pushtet, as nuk shfrytëzuan benificione, as nuk përdhosën ndërtesa e institucione publike, as nuk shitën mend e fodullëk, por po e ruajnë si të shenjtë gjakun e derdhur dhe krenarinë e rikthyer shqiptare.
Votat shkojnë në parti të etnisë tjetër
Në zgjedhjet të kohëshme apo të parakohshme parlamentare të këtij viti që po e lëmë pas, plasi kthimi i borxhit të borxhit të tajfës dhjetëra vjeçare të hafive, që pos të tjerave edhe veten e kishin marrë në qafë. Që, marrja në qafë, duke u mbajt e fshehtë në sistemin e mëparshëm që përjetuam – monizmit, të cilët në këtë sistem të ri këtë fshehtësi e kthyen në vetëfshehtësi, të cilën e kishin ndrydhur e shtrydhur, sa e kishin futë në tokë thellë e më thellë, sa s’mund të vërehej gjë nga larg, por në këtë thellësi të fshehjes qëndronin me të gjitha marifetet e veta dhe si puset që mbajnë ujë, shfrytëzohen atje ku nuk ka kroje. Këtë veprim, nuk e mbulojnë dhe nuk mund ta arsyetojnë as thëniet, se: “Vjehrra për inat të resë e mbyt djalin” nuk qëndron, ngase këtë herë, këto vjehrranë kishin opsione e opsione për të arritur e dënuar të “padashmin”. Nuk qëndron as thënia tjetër se “reja për inat të vjehrrës shkon me mullixhiun”, sepse këtë herë nuk pati fare vjehërr. Më vjen inat ta them në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe po e jap mendimin në mënyrë figurative. Këto vota shqiptarësh dolën përmes plasjes. E themi këtë ngase kjo plasje e kësaj lagështie (nuk qe plasje baroti), u nxjerr nga pronari. Ky zhvillim, as i përngjet pusit dhe pronarit të tij, që pavarësisht se i zoti i puseve, për ta nxjerrë atë ujë, e të shuaj etjen e vet, i duhej kova. Uji poshtë e kova lartë nuk mund të shuanin etjen pronarit, i cili nuk mund të binte në nivelin e ujit nëntokësor, e ta mbushte kovën. Ndërlidhja e këtyre dy distancave lidhet me litar dhe veprim “kundër gravitetit”. Mirëpo, ky litar u përdor kësaj here, por për fat të mirë ky litar nuk do të mund të përdoret më asnjëherë, ngase etja ka rrugë e rrugë të shuhet, dhe nuk do të ketë më nevojë as për puse e as për kova të tilla, dhe kjo për arsyen se në taborin tjetër maqedonas nuk pati asnjë kandidat shqiptar, dhe se kjo e përforcon atë se kovave dhe puseve u doli afati i përdorimit.
Variant i hapur: Në rast se kinse 9 deputetë ia paskan dhënë shqiptarët LSDM-së, po të ishte arsye inati ndaj BDI-së, këta 9 deputetë vërtetë do ta humbnin BDI-në dhe do të fitonte partia më e vogël, në këtë rast PPD-ja, a ka dënim më të madh për pozitën e deritanishme po të ndodhte kjo gjë?
Thërras në vlerat tona
Po të shkruaja para këtyre zgjedhjeve (të cilat kanë filluar që para një viti), do të më fusnin brenda një interesi të kufizuar shoqëror. Tani nevoja e ndikimeve përfundoi. U fitua e u humb, u qoftë për hair. Vërtetë jam njëri nga themeluesit e njërës parti, por nuk shfajësoj askënd, nuk anoj nga askush. I dua të gjithë bashkëluftëtarët dhe bashkëveprimtarët edhe të partisë që kam krijuar dhe i dua vërtetë ata, por më tepër dhe mbi të gjitha e dua popullin tim, të drejtën e tij dhe të vërtetën në përgjithësi. Mbase më të hidhëruarit mund të jenë disa të këtyre të fundit. E mbase do të thonë se, pse flet ai, kur vetë kërkoi lirimin nga të gjithë obligimet partiake. U them këtyre dhe të gjithëve se pensionim për fe e atdhe, për të vërtetën e familjen nuk ka. Dhe se vendet tona kurrë nuk janë lënë “livadh i shkretë ku mund të kullosin pelat qorre”. Vitin që po vjen, uroj që, as për shkak të hatrit e për çështje interesi, as për çështje familje, as për çështje etnie, mos të fshihet e keqja, e dëmshmja, por të nxirret në shesh dhe vetëm si e tillë mund të luftohet. Urime për vitin që vjen dhe këtë herë nuk pres që të më përkrahin vetëm dy kumanovarë, siç ishte rasti për opsionin e bashkimin të Komunës së Likovës me Kumanovën, por pres shumë më tepër, ngase tani veç jeni bindur se, pengimin e bashkimit të komunave (Likovë Kumanovë), e udhëhoqën pikërisht këto votues. Por, edhe sikur të mbetem vet mos mendoni se do të ndalet fjala e pena ime. Përkundrazi, ky është vetëm shkrimi i parë i natyrës që do të ndjek, ngaqë ia vlen për brezat që kanë kaluar, për brezat që po vijnë, e së fundmi edhe për shokët që tani janë kthyer në lapidare.