Mogerini në fillim të marsit viziton Ballkanin dhe Maqedoninë

Bruksel, 22 shkurt, Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini, në fillim të muajit të ardhshëm do të realizojë mini-turne nëpër shtetet ballkanike, me ç’rast do ta vizitojë edhe Republikën e Maqedonisë, raportuan nga kabineti i Mogerinit. Siç lajmëron korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, prej datës 1 e deri më 4 mars, italianja në krye të politikës së jashtme dhe të sigurisë evropiane do t’i vizitojë Shqipërinë, Kosovën, BeH-në, Malin e Zi, Serbisë dhe Republikën e Maqedonisë. Në prag të kësaj vizite, përfaqësuesja e lartë e BE-së deklaroi se kjo mini-turne e saj nëpër vendet ballkanike është me qëllim që të sigurohet “pakthyeshmëria e procesit të integrimit të këtyre vendeve në Union”. “Për Bashkimin Evropian, puna me vendet nga Ballkani Perëndimor, rajon i cili është në zemër të Evropës, është prioritet kyç. Punoj për të parë se secili nga partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor po lëvizë përpara në rrugën e reformave, të lëvizë drejt Bashkimit Evropian dhe të sigurohet se procesi është i pakthyeshëm. Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore mbeten me rëndësi thelbësore në këtë kontekst”, porosit Mogerini. Gjatë vizitës në rajon, është planifikuar që Mogerini të takohet me autoritetet politike, përfshirë edhe përfaqësuesit e qeverive, por edhe me përfaqësues të partive politike dhe të parlamenteve. Ajo do t’i informojë ministrat e punëve të jashtme të BE-së për këtë vizitë në Këshillin për punë të jashtme muajin e ardhshëm.