Komisioni Evropian nuk propozon krijim të armatës evropiane, e as komandë të vetme ushtarake, deklaroi në konferencën për shtyp përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së Federika Mogerini. “Parashtrojmë propozim që do t’i ndihmojë NATO-s dhe do ta bëjë organizatën më të fuqishme” , shtoi ajo. “Britania e Madhe dhe vendet e tjera të BE-së unanimisht e miratuan këtë plan evropian”, theksoi përfaqësuesja e lartë e BE-së. Mogerini e prezantoi këtë pasi paraprakisht gjatë ditës së sotme KE-ja propozoi krijim të fondit evropian për mbrojtje. KE-ja ka bërë thirrje në përpunim të përbashkët të teknologjive mbrojtëse dhe pajisjes me rëndësi strategjike. Komisioni ka propozuar 25 milionë euro për hulumtim në fushën e mbrojtjes në buxhetin e BE-së për vitin e ardhshëm dhe pret që mjetet e dërguara të arrijnë gjithsej 90 milionë euro deri në vitin 2020. Pas vitit 2020 KE planifikon që të propozojë program të adaptuar për hulumtime shkencore në fushën e mbrojtjes me buxhet prej rreth 500 milionë euro në vit. Propozimi do të shqyrtohet në seancën e Këshillit Evropian më 15 dhe 16 dhjetor. KE-ja theksoi se dekadat e fundit shtetet e BE-së i kanë zvogëluar shpenzimet për mbrojtjen për rreth 12 për qind. Sipas vlerësimeve të KE-së mungesa e bashkëpunimit mes vendeve të BE-së në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kushton mes 25 miliardë dhe njëqind miliardë euro në vit.