Ushtria e Sirisë po hynë nëpër shtëpi në lindje të Alepos dhe po vret secilin që po i del në rrugë, duke përfshirë edhe gra dhe fëmijë, kumtoi Zyra e KB-së për të drejtat e njeriut. Në kumtesë thuhet se, siç duket në Alepo po ndodh dështim total i njerëzimit, si dhe se mijëra njerëz edhe më tej janë të robëruar në rajon. Zëdhënësi i Zyres së KB-së për të drejtat e njeriut Rupert Koluil tha se mes viktimave, për të cilat supozohet se janë 82, ka 11 gra dhe 13 fëmijë. Ndërkaq, një zyrtar i UNICEF-it sot konfirmoi se të gjithë fëmijët e Alepos vuajnë nga traumat psikologjike për shkak të dhunës së përgjakshme që ka prekur këtë qytet të madh, ku regjimi dhe kryengritësit kanë hyrë në një luftë të pamëshirshme. “Të gjithë fëmijët e Alepos vuajnë. Të gjithë janë të traumatizuar”, deklaroi Radoslav Rzehak, kreu i zyrës së Fondit të Kombeve të Bashkuara për fëmijët (UNICEF) në Alepo. Ai shtoi se gjatë 15 viteve në organizatën e OKB-së, nuk ka parë kurrë një situatë kaq dramatike se ajo që po jetojnë sot fëmijët e Alepos. Dhjetëra mijëra fëmijë kanë njohur që prej lindjes një prej fazave më të përgjakshme të luftës në Siri, që ka hyrë në vitin e gjashtë. “Në Alepo, 200.000 deri 230.000 fëmijë kanë nevojë për një mbështetje psiko-sociale”, theksoi Rzehak. Edhe sekretari i Përgjithshëm i OKB-ve, Ban Ki-moon u shpreh i alarmuar për raportimet e mizorive që po kryhen ndaj civilëve në Aleppo të Sirisë. Përmes një deklarate të zëdhënësit të tij Stephane Dujarric, kreu në largim i OKB-së u bëri thirrje të gjitha palëve, veçanërisht qeverisë siriane dhe aleatëve të saj të mbrojnë civilët. Ndërsa theksoi se organizata e Kombeve të Bashkuara nuk është në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur raportet për vrasjen e civilëve përfshirë gra e fëmijë, Ban Ki-moon ka përcjellë shqetësimin e tij të madh dhe ka udhëzuar të dërguarin e tij të posaçëm në Siri të bisedojë me palët e përfshira. Më herët këshilltari i OKB-së për çështjet humanitare Jan Egeland tha se Siria dhe Rusia ishin përgjegjëse për çdo krim të kryer nga milicitë pro-qeveritare. Forcat e Bashar al Asadit të mbështetura nga Rusia po zhvillojnë një ofensive madhore në qytetin e Aleppos, për të çliruar zonat lindore nga rebelët. Këta të fundit kanë humbur 90 për qind të territorit që zotëronin. Dhjetëra mijëra persona janë të bllokuar mes bombardimeve. Edhe pse po bëhen përpjekje për hapjen e një korridori të sigurt për të garantuar largimin e civilëve, sipas zyrtarëve amerikanë, rusët po refuzojnë idenë e një pauze në luftime. Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Londër, të paktën 415 civilë dhe 364 rebelë ishin vrarë në zonat lindore që prej 15 nëntorit. Në ndërkohë, aktivistë të paktë humanitarë që po veprojnë brenda Aleppos tregojnë se gjithandej ka kufoma fëmijësh të vrarë në bombardimet që pandërprerë vijnë nga forcat e regjimit të Qeverisë të Asadit. Ndërkohë, komesari i Lartë i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Rupert Colville deklaroi se regjimi sirian dhe aleatët e tij të hënën kanë hyrë nëpër shtëpitë në Halep ku kanë vrarë 82 civilë. Ai shtoi më tej shtoi se në mesin e të vdekurve gjenden 11 gra dhe 12 fëmijë.