Fisnik PASHOLLI
Shkup, 21 prill – Prej fillimit të muajit mars të këtij viti ofrohet mundësia që mishi i freskët i gjedhit nga Maqedonia të eksportohet në shtetet evropiane. Pas lejes për eksport të shpezëve, mishit të pulës dhe peshqve, me angazhimin e institucioneve vendore mundësohet që prodhuesit nga Maqedonia të plasojnë edhe mishin e gjedhit në tregjet e BE-së, shkruan gazeta KOHA. Njohësit e sektorit të bujqësisë vlerësojnë se kjo është një mundësi e mirë për biznesin dhe fermerët në vend, por megjithatë shtojnë se Maqedonia, në radhë të parë, nevojitet të zëvendësojë importin e madh të mishit të gjedhit nga jashtë, për të cilin për çdo vjet harxhohen rreth 25 milionë euro dhe pastaj të shfrytëzohet potenciali për eksport në tregjet evropiane dhe më gjerë. Në ndërkohë, kompanitë vendore të industrisë së mishit si dhe thertoret do të mund të eksportojnë mish të gjedhit jo vetëm në shtetet evropiane, por edhe në vendet e treta. Kjo paraqet mundësi për zgjerimin në tregje të reja si dhe potencial për realizimin e investimeve vendore dhe të huaja në këtë sektor thonë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
“ Ky është rezultat i punës aktive dhe realizimit të të gjitha masave lidhur me sigurinë e ushqimit dhe mbrojtjen shëndetësore, për çka fituam përkrahje nga BE. Leja për eksportin e mishit të gjedhit paraqet mundësi që e tërë industria e mishit dhe eksportuesit të mund të plasojnë prodhimet e mishit në tregjet evropiane dhe ato të treta. Gjithashtu, hapet mundësia e madhe edhe në pjesën e prodhimtarisë primare të furnizimit dhe rritjes së racave të ndryshme të gjedhëve. Kjo nënkupton jo vetëm depërtim në tregje të reja, por edhe mundësi për realizimin e investimeve vendore dhe të huaja në këtë sektor. Tashmë ka paralajmërime se kompani të huaja janë të interesuara të hyjnë në prodhimtarinë primare”, thotë drejtori i Agjencisë së ushqimit dhe veterinarisë, Zoran Popovski.
Në ndërkohë, të dhënat statistikore tregojnë se Maqedonia nuk kënaq nevojat e saja për mish gjedhi me një prodhimtari që në mesatare lëviz prej 4000 deri 6000 tonë në gjashtë vitet e fundit. Sipas të dhënave të Entit të Statistikës, prodhimtaria e mishit të gjedhit në Maqedoni shënon rënie prej 6082 tonë në vitin 2010, respektivisht në 3962 tonë në vitin 2016. Nga ana tjetër, në vitet e kaluara në vazhdimësi shënohen sasi të larta të importit të mishit të gjedhit. Vetëm përgjatë vitit 2014 në vend janë importuar 6928 tonë mish gjedhi të freskët apo të ngrirë për të cilin janë harxhuar afër 25 milionë euro.
Njohësit e sektorit të bujqësisë vlerësojnë se Maqedonia, në radhë të parë, nevojitet të zëvendësojë importin e madh të mishit të gjedhit nga jashtë dhe pastaj të shfrytëzojë potencialin për eksport të tij në tregjet evropiane dhe më gjerë. “Shteti nevojitet të ndërmerr më shumë masa konkrete për zhvillimin e agrobiznesit për të rritur konkurrencën e këtij sektori ngjashëm me situatën e para disa dekadave kur ky sektor ishte një eksportues i madh i prodhimeve bujqësore-blegtorale. Në radhë të parë nevojitet të rishqyrtohen politikat e subvencioneve që ato të arrijnë te fermerët që me të vërtetë punojnë tokën dhe jo tek ata që japin tokën me qira. E dyta, nevojitet që bujqit të bashkojnë interesat e tyre duke themeluar kooperativa për të qenë më konkurrent në treg për të ofruar prodhime më cilësore dhe me standarde që kërkohen në treg dhe e treta, duhet të mundësohet bashkimi i parcelave që do të mundësojë që me bujqësi të merren ata që këtë veprimtari ekonomike e shohin si biznes dhe jo si profesion dytësor“, thotë p♪7r KOHA, Arben Halili, njohës i mirë i sektorit bujqësor në Maqedoni.
Sipas tij, si masa komplementare, por jo më pak të rëndësishme janë edhe zgjidhja e problemit të rritjes së fondit të kafshëve, por jo me refundimin e mjeteve për fermerët që në fillim, por duke mundësuar që ato me prodhimet blegtorale për një kohë të caktuar të paguajnë kafshën. Gjithashtu, duhet zgjidhur edhe çështja e ushqimit të kafshëve si resurs kryesor në prodhimtarinë vendore bujqësore që ka një kosto të dukshme në totalin e prodhimtarisë përmes masave konkrete dhe efektive për fermerët.
Në ndërkohë, agronomët thonë se në Maqedoni në dy dekadat e fundit dukshëm janë zvogëluar tokat punuese, fondi i kafshëve dhe prodhimtaria e disa kulturave bujqësore, andaj edhe çalojmë me prodhimin e ushqimit për nevojat vendore. Gjithashtu, bujqësia në Maqedoni dominohet nga mosha e vjetër dhe fermerë që në mesatare kanë më shumë se 50 vjet, posedojnë mekanizim të vjetër dhe në mesatare fitojnë më pak se paga minimale në muaj. Sipas fermerëve, orientimi i të rinjve në mërgim dhe ulja e fuqisë së aftë punuese në viset rurale, ulja e natalitetit, kostoja e lartë e prodhimtarisë bujqësore, mungesa e fitimit më të madh nga bujqësia dukshëm ndikojnë në zvogëlimin e interesimit për të punuar tokën. Ndryshe, në të ardhmen, bujqësisë në Maqedoni ndër të tjerash i nevojitet specializim i rajoneve për prodhime të caktuara bujqësore me kosto më të ulët të mundshme dhe organizim i punës në aspektin horizontal dhe vertikal, duke përfshirë të gjithë faktorët në procesin e prodhimit dhe shitjes së prodhimeve bujqësore.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara