Ka studiuar për Shkenca Politike e është magjistruar për ekonomi, por muzika ja ka pushtuar zemrën që në fëmijëri. Është fjala për këngëtaren Mirsada Krasniqi, e lindur në Prishtinë e e rritur në Fush Kosovë, e cila këndon që kur ishte 14 vjeç. Ajo ja thotë mrekullueshëm këngës së mirëfilltë qytetare.
Mirsada ka marrë pjesë në shumë festivale, ku është vlerësuar për vokalin e ëmbël dhe interpretimin e shkëlqyer. Ajo ka edhe një album muzikor me këngë të vjetra qytetare, pasi siç thotë për revistën “Kosovarja”, e kultivon dhe ruan me xhelozi këngën e vjetër e të bukur shqipe, këngët e këngëtareve të mëdha Nexhmije Pagarusha, Vaqe Zela, etj. Mirsada Krasniqi këndon edhe në dasma e ahengje familjare, por pa i ikur vlerës dhe këngëve të mirëfillta, që i këndon me aq shpirtë e zemër. Këngëtarja është në përgatitje të një projekti të radhës të titulluar “Perlat e bukura shqipe”.