Kur studion historinë shqiptare nuk ka si të mos bëjë përshtypje historia e krahinave shqiptare. Një thellim në historinë e lashtë të popullit tonë dhe gjen me të vërtet perla të paçmuara në trimëri, besë, zakon, kanun e atdhedashuri. Një nga krahinat më interesante të Shqipërisë është Mirdita. E shquar për trimëri dhe për një histori të çuditshme në fakt sepse është një nga krahinat më kryeneçe shqiptare. Duke shfrytëzuar të dhëna nga arkiva shqiptare dhe botimet për këtë krahinë po bëjmë një këndvështrim të shkurtër në ngjarjet më pikante që shënuan historinë e saj.
Emri Mirditë për herë të parë ndeshet në vitin 1416. Ajo cilësohet si një nga zonat më autoktone dhe më të pavarura të Shqipërisë së Veriut, e çmuar për trimëri dhe atdhedashuri. Mirditorët kanë qenë gjithnjë kryeneçë ndaj pushtuesve dhe me gjakun e tyre dhe mbrojtjen që i kanë bërë territoreve të tyre kanë merituar gjithnjë lavdinë e kombit shqiptar. Krahina është e njohur për kuvendet e saj të famshme, të cilat kanë qenë vendimtare në shumë ngjarje të mëdha historike që ka kaluar Shqipëria. Mund të thuhet me krenari se mirditorët janë racë e pastër shqiptare të cilëve malet dhe natyra i dha një burrëri të pashoqe dhe të lëvduar ndër shqiptarë. Ka qenë shumë e njohur rezistenca që i kanë bërë mirditorët pushtuesve osmanë. Kjo pavarësi dhe krenari eprore që kishin bëri që pushtuesit osmanë ta merrnin seriozisht këtë krahinë dhe ta ndanin atë fillimisht në tre bajraqe: Orosh, Spaç e Kushnen. Kjo gjë nuk ishte gjë tjetër veç ndarje administrative për ta përulur krahinën kryeneçe të Mirditës. Pikërisht në vitin 1812 do t’i shtoheshin kësaj krahinë dy bajraqe të tjera që ishin pikërisht Dibri dhe Fani, duke e bërë krahinën me 5 bajraqe. Të pesë bajraqet bënë besëlidhjen dhe formuan flamurin që ishte me pesë gishta të hapur e të qëndisur në një beze ngjyrë gjaku, prapa të cilës ishte dielli që shpërndante rreze në çdo skaj.
I shquar për trimëri dhe besë kjo krahinë nuk kishte si të mos tërhiqte vëmendjen e krahinave fqinje. Me urdhër të kajmekanit të Lezhës territoret e kësaj krahine u zgjeruan dhe u krijua Blloku më i madh katolik me bashkësi fshatare dhe Mirdita do të bëhet me 12 bajraqe: Oroshi, Spaçi, Kreshneni, Fani, Dibrri, Selita, Kthella, Rranza, Kryezezi, Bulgri, Manatija, Vela. Prengë Marka Prenga ishte një nga bajraktarët më me nam në Orosh. Ai shquhej për ndjenja të forta atdhetarie dhe mori pjesë në shumë luftëra kundër pushtimit Osman si në luftën e Mirditës, Lezhës, Kaçanikut etj.
Shumë vendimtar ka qenë kontributi i Mirditës në luftën e Kaçanikut. Nën udhëheqjen e Preng Marka Prengës u organizuan rreth 2000 burra kundër ushtrisë turke. Mirditasit treguan një trimëri të rrallë ndaj turqit i kishin halë në sy. Në 1912 u përgatit një sulm barbar mbi këtë krahinë, por nuk i mposhtën dot. Me në krye Preng Marka Prengën e famshëm burrat e Mirditës çliruan krahinën dhe gjysmën e Lezhës duke ngritur flamurin kombëtar në kalanë e famshme të qytetit. Prenku ishte një nga njerëzit më të shquar të kësaj zone sepse ishte një burrë trim e i patrembur. Nuk ishte i shkolluar por kishte një zgjuarsi natyrore që e bënte të evidentohej mes burrash dhe mendimin e tij të merrnin edhe Markagjonasit. Një lëvizje për t’u shënuar në Mirditë ka qenë dhe iniciativa e Markagjonasve për ta bërë Mirditën republikë, pra krahinë të pavarur. Kjo iniciativë ndër më të famshmet e kësaj krahinë nuk mori miratimin e shqiptarëve edhe pse Fuqitë e Mëdha ishin dakord. Intelektualët mirditorë të asaj kohe u hodhën kundër kësaj ideje sepse në asnjë mënyrë nuk dëshironin copëtimin e Shqipërisë, në një kohë kur bashkimi kombëtar duhet të forcohej akoma dhe më shumë.
Por një tentativë që ka hyrë në historinë e shqiptarëve dhe vlen për t’u përmendur është ajo e qëndresës luftarake në fund të dhjetorit 1944- 1945 kundër vendosjes së pushtetit komunist. Shumica e mirditorëve bënin pjesë në radhët e ushtrisë nacionaliste. Brigadat partizane kishin marrë urdhrin e prerë që të luftoheshin forcat reaksionare dhe të gjitha krahinat që nuk pranonin vendosjen e sistemit komunist në Shqipëri. Mirëpo forcat partizane ishin më të shumtë në numër dhe kishin dhe përkrahjen e forcave jugosllave. Ndaj në këto kushte u ngushtua gjithnjë e më shumë veprimi i tyre. Kështu që nën drejtimin e Mark Gjomarkut dhe me përkrahjen e nacionalistëve të pamposhtur në Mirditë në mars të 1945 do të mblidhej “Komiteti Kombëtar i Maleve”. Pikërisht këtij komiteti iu bashkua dhe kleri katolik i Veriut, i cili të gjitha kishat i ktheu në baza të të arratisurve që luftonin kundër komunizmit. U vendos që luftëtarët të bashkoheshin me forcat nacionaliste të të gjithë Shqipërisë dhe u vendos që të bashkëvepronin dhe me Kosovën. U bënë disa kuvende të famshme ku luftëtarët e lirisë diskutonin mbi problemet që kishte vendi ynë dhe për përpjekjet që duhet të ndërmerrnin për heqjen e tiranisë së kuqe. Qeveria e Tiranës me stabilizimin e saj çoi brigadat e përndjekjes në luftë kundër nacionalistëve të Mirditës. Plot 4500 veta u dërguan në Mirditë. Kjo e fundit u mobilizua në mbrojtje të çështjeve nacionaliste. Populli i Mirditës i ndihmonte luftëtarët dhe pse persekutohej për këtë gjë me dënimet më të ashpra deri në asgjësim. Populli i Mirditës kishte lidhur besë dhe ishte krijuar një ushtri me 12 mijë burra nga të 12 bajrakët e Mirditës që ishin mobilizuar për të bërë revolucionin antikomunist më të famshëm të Shqipërisë.
Mark Gjonamarku harton një statut me shumë pika ku më të rëndësishmet ishin: me lidhë besën që asnjë mirditor të mos hakmerret sepse në fillim ishte lufta kundër komunizmit, të mos vritet askush përveç komunistëve, t’i bëhej e ditur popullit se popullit i është grabit liria, nderi dhe pasuria, me lidhë besën sipas traditës shqiptare, me harxhu gjithë energjitë tek bashkimi dhe fronti antikomunist që po e shkombëtarizon popullin shqiptar, për t’i dhënë të drejtë popullit të zgjedhë vetë formën e regjimit etj.
Por me gjithë angazhimin e forcave nacionaliste kryengritja u shtyp dhe të gjithë markagjonasit e mirditorët u masakruan duke i vrarë e duke i mbyllur në burgjet komuniste dhe duke lënë në tentativë një nga lëvizjet më të fuqishme patriotike të vendit tonë. Nëqoftë se kjo lëvizje do kishte triumfuar sigurisht që do kishim një histori tjetër. Por kjo lëvizje shërbeu dhe njëherë për të treguar mëndjemprehtësinë e mirditorëve dhe aftësitë e tyre gjeniale në historinë e Shqipërisë. Ishin një krahinë e emancipuar dhe me ide të sakta për ta futur Shqipërinë në drejtimin e duhur. Ata i kishin sytë tek perëndimi dhe bazoheshin në traditat më të hershme shqiptare. Ajo që mund të thuhet me bindje është se mirditorët kanë vënë vulën e tyre të trimërisë dhe besës në stadet më të rëndësishme të historisë shqiptare.
Ja ç’mendojnë të huajt për Mirditën
Si një krahinë autoktone dhe ndër më të vjetrat e Shqipërisë Mirdita nuk kishte si të mos tërhiqte vëmendjen e studiuesve të huaj. Ata vlerësonin trimërinë dhe zakonet e mirditorëve por dhe natyrën e bukur. Studiuesja e njohur Edith Durham do të vinte në dukje në fakt diçka shumë karakteristike tek mirditoret që ishte mbajtja e shamisë së zezë (xhurdi) që në fakt ka një domethënie të lashtë. Duke qenë se Lekë Dukagjini kishte miqësi me Skënderbeun, me vdekjen e tij të gjitha gratë mirditore mbanin këtë shami të zezë në shenjë zie për Skënderbeun. Në librin e saj “Shqipëria e Epërme” nuk kishte si studiuesja e njohur angleze të mos vinte re dhe bukurinë e mirditorëve. “Ndesh nëpër Mirditë burra shtatgjatë me sy bojë hiri” do të shkruante ajo që gjithnjë e ka vënë në dukje bukurinë e racës shqiptare.
Studiuesi Zmajeviç do të interesohej për lidhjen e mirditorëve me fenë. Ai do vinte në dukje se mirditorët e respektojnë shumë fenë dhe kanë një vlerësim për objektet e kultit, mirëpo fakti që gjithnjë kanë qenë një krahinë kryeneçe ka sjellë varfërimin e tyre. Ndaj vendosja e taksave nga pushtuesit osmanë gjithnjë e më tepër po bën që ato të humbasin identitetin e tyre fetar dhe t’i nënshtrohen konvertimit në fenë myslimane. Por megjithëkëtë të gjithë historianët e përmendin faktin që identiteti i tyre fetar është ruajtur më shumë se në çdo krahinë tjetër shqiptare.
Degrand ka vënë re disa tipare të tjera të mirditasve. Ai thekson se ata janë” besnik të fjalës së dhënë, gjakënxehtë, të ndjeshëm dhe morali i tyre shoqëror qëndron shumë lart. Nderi qëndron në themel të jetës së tyre dhe për të ata janë gati të derdhin gjakun e tyre rrëke”. W. Peinsipp shkruan “ Për këtë popull me moral kaq të shëndetshëm e të pastër, nuk ishte e vështirë të mbante mend ligjet dhe normat, se kujtesa e njerëzve që e përçojnë dijen vetëm gojarisht është tepër e zhvilluar. Ligjet dhe normat ishin në formë fjalësh të urta, të formuluara shkurt e thjeshtë”. Karakteri i mirditasve është provuar në situata të vështira, kur u është dashur të zgjedhin sjelljen e tyre në luftëra të shumta ku kanë marrë pjesë. Ata pasi t’i shërbeje dikujt, nuk i dalin kundër në luftë, se kjo ishte kundër zakoneve të tyre të moçme. Gjithashtu ishte e kundërt me zakonet e tyre të ndihmohej një nënshtetas që kishte ngritur krye kundër vetë sovranit të tyre. Në historinë shqiptare ka shumë të dhëna të vyera. Psh me nam është kundërshtia që i bën mirditorët Ali Pashë Tepelenës kur pashai gjakatar i Janinës i urdhëroi të vrisnin kardhiotët e lidhur. Por mirditasit nuk pranuan. “Duhet që ato të kenë armë në duar dhe të ndeshen me ne. Përndryshe të lidhur nuk mund t’i therim se shburrërohemi”. Dhe kjo në fakt përbënte thelbin e mirditorëve ndër shekuj. Trimëria dhe burrëria e tyre është me nam. Por sigurisht që mirditorët kanë pasur dhe anët e tyre të errëta. Në sytë e studiuesve të huaj Durham, Nopça, Degrand nuk kishte si të mos binte në sy varfëria e tejskajshme e kësaj krahine por dhe fakti që ata ishin plaçkitës me nam deri në Kosovë.