Për dallim nga burimet e BDI-së të cilat pohonin se nga VMRO-DPMNE kanë marrë ftesë me shkrim për negociatat për formimin e qeverisë së re, Antonio Milloshoski në emisionin “10 Minuta” tha se VMRO-DPMNE asnjëherë nuk ka dërguar garanci me shkrim deri te BDI. Milloshoski u shpreh se këto dy parti janë gjatë kohë në koalicion dhe gjithnjë është respektuar fjala e dhënë. Për këtë arsye, thotë ai, nuk ka pasur nevojë për dokumente. Ai e hodhi si të pasaktë informacionin se me BDI-në është biseduar edhe pas skadimit të mandatit për formimin e qeverisë, por nuk e përjashtoi mundësinë për negociata të ardhshme. “Ne jemi parti politike e hapur. Me BDI-në tradicionalisht kemi pasur bashkëpunim të mirë. Nëse nga ana e tyre ka interes, ne nuk do t’i ishim shmangur mundësisë për të biseduar në këtë temë”, u shpreh Milloshoski. Nga VMRO-DPMNE edhe më tej sugjerojnë se pa ta në pushtet, në Maqedoni do të ketë krizë. Sipas Milloshovskit, afër gjysmë milionë votues të tyre presin që partia t’i përfaqësojë. Ai shtoi se BDI nuk ka qëndruar në fjalën dhënë në vitin 2007 kur kjo parti kërkonte të respektohej parimi i fitueset me fituesin. “Tani imponohet pyetja, a i thekson parimet e veta BDI vetëm për një herë, vetëm kur është në interes të tyre apo janë parime për të cilat ajo beson se janë të favorshme për stabilitetin politik në Maqedoni”, shtoi Milloshoski. Milloshoski në fund tha se dështimi i bisedimeve me BDI-në nuk ishte çështja e Prokurorisë Speciale por kërkesa e BDI-së për zyrtarizimin e gjuhës shqipe në të gjithë territorin e Maqedonisë. Kjo për VMRO-DPMNE-në ishte e papranueshme. (TV21)
https://www.youtube.com/watch?v=98TXA2S-Gh4