Milan-Real Madrid, shkëmbim CR7-Donnarumma?

Milan-i duhet të jetë i përgatitur për të diskutuar për një lëvizje në merkato e cila mund të përfshijë Cristiano Ronaldo-n dhe Guanluigi Donnarumma-n, ka thënë drejtori sportiv Massimiliano Mirabelli. Sulmuesi portugez raportohet se ka kërkuar të largohet nga Real Madrid-i këtë verë duke bërë të shpërthejnë spekulimet lidhur me të ardhmen e tij. Nga ana tjetër te Milan-i, Donnarumma ka refuzuar të nënshkrujë kontratën e re duke ngjallur pakënaqësinë e drejtuesve dhe tifozëve të klubit kuqezi. Ndërkohë kampionët e La Liga-s prej kohësh janë në kërkim të një portieri pavarësisht se gjasat janë për një rinovim të atij aktual Keylor Navas. Në këtë pikë 18-vjeçari i Milan-it Donnarumma duket se është në radarët e “Los Blancos”, ndërkohë që Mirabelli ka thënë me shaka se ka një mundësi e cila mund të tërheqë interesin e klubit të Serie A.

“Nëse Cristiano Ronaldo do të largohet nga Real Madrid-i dhe këta të fundit duan Donnarumma-n, atëherë ne do të jemi të gatshëm për të diskutuar me presidentin Florentino Perez”, ka thënë Mirabelli për “Corriere dello Sport”. Por për Donnarumma-n nuk interesohet vetëm Real Madrid-i. Edhe kampionët e Italisë, Juventus-i gjithashtu ndjek portierin e ri, i cili konsiderohet si një pauses i denjë i trashëgimisë së Buffon. Në këtë pikë Mirabelli shtoi: “Do të isha i çuditur nëse Marotta do të kishte thënë të kundërtën. Marotta është shumë i talentuar në tregun e transferimeve, ndaj nëse atij i duhet një portier, ne jemi këtu. Për momentin nuk ka ndodhur asgjë. Për momentin nuk kemi pranuar oferta. Nuk ka çmim për të dhe ne nuk duam ta shesim. Jo tani. Dëshira jonë ishte ta bënim Donnarumma-n simbolin e Milan-it dhe tifozëve tanë duke i ofruar gjithçka që kërkon ky rol. Ai do të ishte kapiteni i skuadrës, kishte një ofertë të konsiderueshme duke pasur parasysh moshën e tij të re dhe situatën e Milan-it: 25 milionë euiro neto për pesë vjet që janë 50 milionë euro bruto për klubin”.

Për sa i takon refuzimit të Donnarumma-s për të rinovuar kontratën Mirabelli tha: “Në aspektin njerëzor ishim shumë të mërzitur, veçanërisht sepse nuk kishte shanse për negociata. Nuk është e vërtetë që të enjten situata me Raiolën ishte e tensionuar dhe që ne kemi debatuar me të. Thjesht sqaruam gjërat duke ndarë rrugët tona. Jemi shumë të mërzitur, po ashtu edhe tifozët tanë. Dhe e them me respektin më të madh për Gigio-n dhe Raiola-n: secili është i lirë të bëjë zgjedhjen e tij. Tani ne jemi duke kërkuar një portier të denjë për Milan-in. Kushdo që do të veshë fanelën e Milan-it duhet ta ketë të qartë peshën e saj”.