Një pajisje wireless që kontrollohet nga një smartphone, së shpejti mund të ndihmojë njerëzit të luftojnë një ndër patologjitë më të bezdisshme: migrenën. Pajisja Hi-Tech, sipas ekspertëve, është në gjendje të reduktojë dhimbjen pa qenë e nevojshme përdorimi i ilaçeve. Ky përfundim vjen pas një eksperimenti të drejtuar nga David Yarnitsky, kërkues shkencor në Fakultetin e Mjekësisë në Haifa (Izrael). Është publikuar në “Neurology”, revistë e njohur amerikane dhe prej disa ditësh po qarkullon në mediat ndërkombëtare. Pajisja është testuar në dhjetëra pacientë që vuanin nga migrena dhe që nuk kishin përdorur asnjë medikament për të paktën dy muaj para se t’i nënshtroheshin eksperimentit, që parashikonte që vullnetaret të vendosnin pajisjen digjitale rreth krahut menjëherë sapo të fillonte dhimbja dhe ta mbanin për të paktën 20 minuta. Rezultatet pozitive të eksperimentit, hapin dyer të reja për mjekësinë që prej vitesh përpiqet të zgjidhë problemin e migrenës pa përdorur medikamente të cilat, siç dihet, pas një kohe të gjatë mund të kenë efekte anësore.