Me hapjen e ekspozitës dhe promovimit të librit dokumentar “Rrugëtimi” të autorëve Skender Asani dhe Albert Rama në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u shënua Dita ndërkombëtare kundër fashizmit. Pjesëmarrës në këtë eveniment kulturor me peshë të madhe historike e kulturore që zgjoi interesim të madh në qarqet diplomatike amerikane dhe veçanërisht brenda komunitetit shqiptar dhe hebre, ishte edhe Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti i cili në fjalimin e tij përgëzoi autorët për veprën e shkëlqyer artistike dhe letrare që mundësojnë promovimin e vlerave njerëzore të humanitetit dhe pasqyrim retrospektiv të luftës së drejtë për të mposhtur fenomenin e diskriminimit etnik të ideologjisë së errët fashiste.
“Inciativat e këtilla organizative nxjerrin në pah karakterin e zemërgjerësisë dhe vlerën tonë kombëtare të mikpritjes”, tha kreu i Komunës së Çairit duke potencuar edhe faktin se Republika e Maqedonisë, është duke kaluar momente dramatike kohën e fundit, në përpjekje për të mënjanuar dallimet etnike dhe fetare, për të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, dhe për të rritur besueshmërinë në njëri-tjetrin.
“Ngjarjet si këto të Luftës së Dytë Botërore, që janë pjesë e kësaj ekspozite dhe këtij libri, na kujtojnë shumë shembuj pozitiv të këtij bashkëpunimi, të cilët duhet edhe sot t’i kultivojmë. Mjafton të kujtojmë rastin e shpëtimit të familjes hebreje Frances. Marrëveshja dhe lidhja e besës u bë pikërisht në Çarshinë e Vjetër të Çairit, në Shkupin tonë të përbashkët, shumëetnik e shumëreligjioz, ku iu la në besë shqiptarit Veli Meliqi, familja pesë anëtarëshe hebreje Frencis, për të shpëtuar andej kufirit shqiptar”.
Në mesin e shumë figurave publike, të pranishëm ishin edhe ambasadorja shqiptare në Misionin e OKB-së në Nju Jork, Besiana Kadare, kryetari i Akademisë Shqiptare-Amerikane, Skender Kodra, aktori i njohur Xhevat Limani, gazetari Qazim Doda, etj.