Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryetarin e sapozgjedhur të Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi. Në një njoftim nga Kuvendi i Shqipërisë, thuhet se Meta pasi e uroi Xhaferin për zgjedhjen e tij në krye të Parlamentit të Maqedonisë, i shprehu keqardhje për dhunën e papranueshme në ambientet e Parlamentit të Maqedonisë, duke e siguruar për mbështetjen e plotë të Kuvendit të Shqipërisë ndaj stabilitetit dhe demokracisë në Maqedoni. “Meta gjithashtu theksoi rëndësinë për zgjedhjen e krizës në Maqedoni përmes mjeteve kushtetuese dhe demokratike duke dhënë mbështetjen e plotë të Kuvendit të Shqipërisë duke e vlerësuar krizën në Maqedoni si një krizë politike dhe jo ndëretnike. Kriza politike duhet zgjidhur përmes mjeteve kushtetuese demokratike. Ky konflikt në Maqedoni është politik dhe jo ndëretnik”, ka theksuar Meta, thuhet në njoftim.