Sulmuesi argjentinas i Barcelonës e mbyll vitin 2016 me 59 gola të shënuar, duke tejkaluar 54 golat e Cristiano Ronaldos. Trajneri Luis Enrique ka konfirmuar dje, në konferencën për shtyp, pas ndeshjes derbi në “Camp Nou”, kundër Espanyol, se ka dhënë leje të veçantë për katër lojtarë, në mënyrë që të kenë disa ditë më shumë në dispozicion për të pushuar me rastin e festave të fundvitit. Ata nuk do të jenë në ndeshjen e Kupës së Mbretit, kundër Hercules, të mërkurën e ardhshme. Pra, nuk do të luajnë më asnjë ndeshje konkurruese deri në 2017 këta lojtarë: Gerard Pique, Luis Suarez, Neymar dhe Leo Messi. Në të vërtetë, argjentinasi u konfirmua si “pichichi”pas derbit kundër Espanyol, me 59 gola. Kjo shifër spektakolare ka dy komponentë: 51 prej tyre janë realizuar me fanellën e Barcelonës ndërsa 8 gola të tjerë me kombëtaren e Argjentinës. Golat në rang klubi kanë këtë shpërndarje: 32 në kampionat, 13 në Ligën e Kampionëve, 5 në Kupën e Mbretit dhe 1 në Superkupën e Spanjës. Pjesa tjetër, në rang kombëtareje, ndahet: 5 gola në “Copa America” të fundit dhe 3 gola në eliminatoret për Kupën e Botës, “Rusia 2018”. Ndjekësi më i afërt i tij është CR7, fituesi i “Topit të Artë” për vitin 2016. Ai shtoi tre gola të fundit në listën e vet, në finale e Botërorit për Klube. Cristiano Ronaldo e la shenjën e tij personale në 54 gola, 44 prej tyre me fanellën e Real Madridit. Portugezi shënoi gjatë vitit 2016 një total prej 33 golash në kampionat, 7 gola në Champions dhe 4 gola në Botërorin për Klubet. Me kombëtaren e tij ai shënoi 3 gola në “Euro 2016”, për të fituar titullin e kampionit. 7 gola të tjerë i ka realizuar në kualifikueset për Kupën e Botës, “Rusia 2018”. Podiumin (treshen) e plotëson Luis Suarez. Uruguajani ka tejkaluar edhe pesëdhjetë golat (51), në sajë, kryesisht të markës së tij të shkëlqyer, duke shënuar në sezonin e La Liga së fundit, në të cilën arriti kuotën 40 gola. 25 prej tyre i përkasin sezonit të kaluar, ndërsa 12 gola të tjerë ia ka realizuar në kampionatin aktual të La Liga. Përveç kësaj, ne, gjithashtu, duhet t’i shtojmë edhe 5 gola Luis Suarezit, të shënuar në Ligën e Kampionëve dhe në Kupën e Mbretit. Një gol ka shënuar në Superkupën e Spanjës, duke e përfunduar vitin 2016 me 48 gola, me fanellën e Barçës. Atyre duhet t’u shtohen edhe tre gola më shumë, duke mbrojtur ngjyrat e kombëtares së Uruguajit. Në këtë listë të privilegjuar janë edhe golashënues të njohur si Ibrahimovic (49), Lewandowski (46), Cavani (44), Higuain (39) dhe Kun Agüero (37), ndërsa siriani Al Somah (41 ) dhe izraeliti Zahavi (39) luajnë në liga “ekzotike”, të pakrahasueshme me ligat prestigjioze europiane.
Lista e golashënuesve:
1. Leo Messi – 59 gola
2. Cristiano Ronaldo – 54 gola
3. Luis Suarez – 51 gola
4. Zlatan Ibrahimovic – 49 gola
5. Robert Lewandowski – 46 gola
6. Edinson Cavani – 44 gola
7. Omar Al Somah – 41 gola
8. Gonzalo Higuain – 39 gola
9. Eran Zahavi – 39 gola
10. Sergio ‘Kun’ Aguero – 37 gola