Elseid Hysaj ishte një ndër më të mirët e Napolit për 60 minutat që luajti në fitoren 3-0 kundër Interit të premten mbrëma. Por mbrojtësit të Kombëtares shqiptare iu desh të linte fushën pas një problemi, duke u zëvendësuar nga Kristian Maxho në të djathtë të prapavijës napolitane. Sipas mediave italiane, në 22-vjeçari ishte në dyshim për këtë ndeshje, për shkak të një goditjeje të pësuar kundër Sasuolos të hënën. Megjithatë, arsyeja e zëvendësimit mbrëmë është krejt tjetër. “Mediaset Premium” raporton se Hysaj kërkoi të linte lojën pasi ndiente dhimbje në stomak. Gjithnjë sipas televizionit italian, lojtari u kthye menjëherë në shtëpi. Për fat të mirë, ky problem nuk pritet ta kushtëzojë Hysajn për transfertën e të martës kundër Benfikës.