Laura PAPRANIKU
Shkup, 15 shkurt – Parë nga mënyra se si janë shkruar në letër, ligjet të cilat rregullojnë sferën arsimit të krijojnë përshtypjen se profesionet të cilat ushtrohen në suazat e institucioneve arsimore funksionojnë në mënyrë perfekte, shkruan gazeta KOHA. Mirëpo, në praktikë shumë prej përparësive që do të duhet të shoqëronin profesionet e mësimdhënësve, bashkëpunëtorëve apo qoftë edhe drejtuesve të shkollave nuk janë ashtu sikurse duken. Sa për mungesë vullneti nga institucionet që duhet të materializojnë avancimin e mësimdhënësve, aq edhe për shkaqe të politizimit nëpër shkolla nuk ndjehet thuajse ambicia për karrierë. Numri i atyre që konkurrojnë në programe trajnimi për liderë apo drejtues shkolle, është simbolik dhe gjithë kjo lidhet me përshtypjen se “certifikatat janë vetëm kamuflazh”, sikurse vlerësojnë një pjesë e madhe e të punësuarve në arsim.
Në zgjedhjen e drejtorëve, Ligji për arsim fillor dhe Ligji për arsim të mesëm u jep përparësi në zgjedhjen kandidatëve që kanë certifikatat e drejtorëve. Mirëpo, edhe në këtë pikë është gjetur mundësia për manipulime. Një kandidat mund të emërohet drejtor edhe nëse nuk posedon certifikatë për kryerje të trajnimeve për drejtor shkolle, me kushtin që ta sigurojë atë brenda një viti. “Kështu që, të zgjedhurit e politikës, nuk e kanë problem. Ata si me certifikatë, si pa certifikatë, mund të emërohen drejtor. Pasi ta sigurojnë postin, se kanë problem të regjistrohen edhe në ndonjë program trajnimi dhe ta sigurojnë postin për gjithë mandatin”, thotë për KOHA, Hatixhe Demiri, mësuese në shkollën fillore “Vëllazërimi” në Shkup. Megjithëse me 20 vjet përvojë pune në arsim, ajo vëren se nuk ka shfaqur asnjëherë interesim të bëjë trajnime për drejtorë shkolle. Jo vetëm unë, por kështu veprojnë pjesa dërmuese e të punësuarve në arsim, të cilët nuk kanë mbështetje politike, plotëson ajo. “Askush nuk ka para tepër dhe as kohë për të harxhuar kot”, shprehet Demiri.
Sipas saj, nëse do të kishte funksionuar sistemi i verave, respektivisht avancimit në karrierë të mësimdhënësve në bazë të aftësive që posedojnë, shumë më ndryshe do të ishte edhe gjendja në arsim, nuk do të merreshim ende me probleme të mesjetës, me mungesa bankash, klasash dhe paralelesh. Përveç kësaj, nëse do të kishte vërtetë vullnet që të stimulohet ngritja profesionale e të punësuarve në arsim, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) nuk ka përse të ngurojë. Mjafton të respektojë ligjet të cilat i ka propozuar vetë dhe mund të bëhet një lëvizje përpara në këtë drejtim. Demiri, nënvizon se në Ligjin për arsim fillor janë të shënuara shumë qartë mënyrat e avancimit të mësimdhënësve duke nis nga kategoria më e ulët e praktikantit për të vazhduar më nivelin mësimdhënëse, mentor dhe këshilltar. E njëjta vlen edhe për bashkëpunëtorët profesional.
Në shumë shkolla, as që flitet për avancimin profesional të mësimdhënësve dhe bashkëpunëtorëve. Drejtorët as që përgatisin propozimet përkatëse, të cilat duhet ti dërgohen MASH-it dhe e cila duhet tu përgjigjet materialisht avancimit të mësimdhënësve. “Rroga e arsimtarit dhe bashkëpunëtorit profesional është sipas titullit të marrë”, thuhet në nenin 92 të Ligjit për arsim fillor.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.