Kancelarja gjermane Angela Merkel ka thënë se Bashkimi Evropian “më i vendosur se kurrë”, mbështet marrëveshjen e Paris në luftën kundër ndryshimeve klimatike, pas vendimit që SHBA mori për t’u tërhequr nga marrëveshja.
Merkel të enjten në fjalimin e saj para parlamentit gjerman theksoi se BE me përkushtim të plotë qëndron pas marrëveshjes së Parisit. Ajo shtoi se “Marrëveshja e Parisit është e pakthyeshme dhe e panegociueshme”. Merkel do të jetë organizatore e Samitit të Grupit të 20 fuqive ekonomike botërore, i cili do të mbahet më 7 dhe 8 korrik në Hamburg. Në prag të samitit, Merkel sot në Berlin do të mbajë takim me liderët europianë të vendeve të G20.