Në votimin për kryetaren e re dhe të vjetër të CDU-së, Angela Merkel, morën pjesë gati 950 delegatë kristiandemokratë. Kancelarja Angela Merkel ka fituar mbështetjen e 89.5 për qind të votuesve në Kongresin e partisë CDU, i cili po mbahet në Esen të Gjermanisë. Në këtë mënyrë Merkel është rizgjedhur për herë të nëntë në këtë post. Por Merkel kësaj radhe ka marrë gati shtatë për qind më pak vota, ndërsa para dy vitesh ajo kishte fituar besimin e 96.7 % delegatëve të CDU-së në Kongres. Një prej temave më kritike gjatë debateve ishte ardhja e më shumë se një milionë refugjatëve gjatë vitit 2015 në Gjermani. Gjatë këtij viti ka vazhduar ardhja e refugjatëve, por në një masë shumë më të vogël.