Patriot LUMANI
Strugë, 28 shkurt – Shkolla e Livadhisë, së fundi, si rezultat i investimeve që janë realizuar me mbështetjen e mërgimtarëve dhe pushtetit vendor, por edhe me mjete të vet shkollës, i është nënshtruar një ndryshimi cilësor dhe ka shtuar hapësirat e sistemuara në shërbim të nxënësve dhe stafit pedagogjik, shkruan gazeta KOHA. Pas finalizimit të punëve për rregullimin e dy klasave, korridorit si dhe bibliotekës së shkollës, së fundi me një donacion të biznesmenit, Selami Ziba, që vepron në Gjermani dhe ka aktivitete edhe në Strugë janë renovuar tërësisht nyjet sanitare, ndërsa me ndihmën e e një grupi të mërgimtarëve në SHBA, janë kryer disa punë në oborrin e shkollës.
Mexhit Imeri, drejtor i shkollës “Nuri Mazari” në Dollogozhdë, institucion në të cilin graviton edhe shkolla “Aki Dika” e fshatit Livadhi, tregon për gazetën KOHA se me rrumbullkësimin e këtyre investimeve, tashmë kjo shkollë gradualisht po plotëson kushtet në mënyrën më të mirë. Imeri sqaron se institucioni që ai drejton prej kohësh funksionon normalisht dhe nuk ka probleme të natyrës financiare apo të ketë xhirollogarin e bllokuar.
“Me këto investime që janë realizuar në shkollën e Livadhisë, janë krijuar tashmë kushtet që mësimi të zhvillohet në një ndërrim mësimor. Padyshim që pa mbështetjen e Komunës së Strugës, donatorëve dhe mjeteve të vet shkollës nuk do të kishte mundësi të ndodhnin këto investime në këtë shkollë ku mësojnë 130 nxënës”, thotë ai. Edhe në shkollën qendrore fillore “Nuri Mazari” në Dollogozhdë, ku gravitojnë edhe shkollat fillore të Koroshishtit, Livadhisë, Pohumit dhe Zhepinit, vendbanime këto që, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, numërojnë afërsisht 7 mijë banorë, konstatohet zvogëlimi i dukshëm i numrit të nxënëseve, referuar të dhënave duke i krahasuar me ato të para 15 vjetëve. Nga shkolla fillore e “Nuri Mazari” konfirmojnë se deri në vitin 2000, pra rreth 15 vite më parë, në këtë institucion arsimor kanë mësuar deri më 1500 nxënës, ndërsa sivjet në vitin shkollor 2016/2017 ky numër është reduktuar në 550 nxënës.
Mexhit Imeri, drejtor i këtij institucioni arsimor, tregon për KOHA se përgjysmimi i dukshëm ndodhi kur pjesa më e madhe e mërgimtarëve morën edhe familjet në vendet ku punonin prej vitesh. Imerin potencon se akoma është herët të thuhet se kur do të ndërpritet kjo tendencë negative, edhe pse, sipas tij, tashmë vërehet një lloj stabiliteti, sepse për herë të parë sivjet në rang shkolle në klasë të parë janë regjistruar 10 nxënës më shumë në krahasim me vitin e kaluar shkollor ku mësimin në klasë të parë e ndiqnin 45 nxënës në të gjithë fshatrat që gravitojnë në shkollën qendrore të Dollogozhdit.
Për Imerin zvogëlimi i numrit të nxënësve në këto përmasa, ka ndodhur në pjesën më të madhe si rezultat i migrimit në masë y banorëve të Dollogozhdit, Koroshishtit, Livadhisë, Zhepinit dhe Pohumit drejt vendeve perëndimore.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.