Vjollca SADIKU
Dibër, 8 maj – Çdo dekadë thuajse ka ndryshimet e saj dhe sikurse janë në kundërshtim njëra me tjetrën. Para shumë dekadave qyteti i Dibrës nga kodrinat filloi të zbres në pjesën më të ulët të tij. Pjesa e sipërme e qytetit ishte e banuar me qytetar të vjetër dibran, ndërsa në pjesën e poshtme të qytetit banonin familjet e ardhura nga rrethi i Dibrës, shkruan gazeta KOHA. Sidomos, vitet e para kur filloi shpërngulja e popullatës në pjesën fushore dhe kur kodrat të bukura të bejlerëve dibran, u lëshuan nga ana e familjeve elitare të saj, ata u vendosën në pjesët qendrore të qytetit. Por, kohëve të fundit, familje dibrane të cilët materialisht qëndrojnë mirë, përcaktohen që ndërtimet të tyre të reja t’i realizojnë në pjesët periferike të qytetit. Në këto pjesë, tani thuajse janë bë edhe lagje të vogla që dita ditës mbushen me shtëpi të reja dhe me arkitekturë mjaft të bukur.
Bëhet fjalë për ndërtime të cilët janë teje të bukura dhe që japin një pamje të bukur daljes nga Dibra për në Mavrovë dhe daljes nga Dibra për në Strugë. Janë ndërtime të cilët mahnitin bashkëqytetarët, por edhe udhëtarët e rastit që vizitojnë Dibrën. Pjesa më e madhe e këtyre ndërtimeve individuale i takon mërgatës dibrane, por jo vetëm atyre. Sidomos, ka ndërtime të cilët janë në pronësi të mërgimtarëve dibranë që punojnë dhe jetojnë në SHBA, por edhe në disa shtet të tjera të Evropës Perëndimore. Në bisedën që patëm me disa pronarë të këtyre shtëpive, u informuam se qëllimi kryesor është që aty të gjejnë qetësinë dhe të bëjnë një jetesë të qetë meqë edhe qyteti i Dibrës, sidomos pjesa qendrore e tij kanë probleme me zhurmën akustike dhe ndotjen e ajrit. Po ashtu, sipas tyre, meqë edhe pjesa periferike e qytetit nuk ka ndonjë largësi të madhe nga qendra, jep mundësi që të jetohet më mirë në periferi. Në pjesën të daljes nga Dibra për në Strugë, aty ku kishte shtëpi individuale banimi të ndërtuara nga dibranët, kohëve të fundit u bashkëngjitën edhe shtëpi të tjera të ndërtuara nga mërgimtarë. Aty ku është stadiumi i qytetit, por edhe pjesa përreth tij pritet që sipas paralajmërimeve të ketë ndërtime të reja individuale. I njëjti interes ndodhi edhe me pjesën e daljes nga Dibra për në Mavrovë, në afërsi të fshatit Rajçicë. Edhe këtu nga dita në ditë lindin ndërtime të bukura, të cilët i japin një pamje mahnitëse kësaj pjese periferike të Dibrës.
Lokacionet të cilët i përmendëm janë tërësisht të urbanizuara dhe atje mundësohen ndërtime që plotësojnë normat ligjore dhe përcaktimet e planit urbanistik të qytetit të Dibrës. Ndërtimet në fjalë po ashtu mundësojnë edhe zgjerimin e qytetit. Tani, pjesët periferike bëhen vendbanime të tëra dhe atje shumë shpejt do të ketë nevojë edhe për hapjen e rrjetit tregtar dhe objekteve të tjera shërbyese në interes të komunitetit. Por, nga ana tjetër, kur bëhet fjalë sidomos për ndërtimet në dalje të Dibrës kah Struga, bujqit shpesh herë kanë reaguar dhe reagojnë. Këtu në shënjestër është toka pjellore, e cila para shumë viteve ka dhënë edhe rendimente të mira bujqësore. Sidoqoftë, popullata shtohet dhe periferia e Dibrës merr pamje të re, edhe atë në përputhje me ndërtimet moderne që i takojnë kohës në të cilën jetojnë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara