Zonja e Parë në ardhje, Melania Trump dhe djali i saj Barron nuk do të jetojnë në Shtëpinë e Bardhë, kur Donald Trump të inaugurohet President në janar, ka mësuar The New York Post, përcjellë Klan Kosova.Gruaja 46 vjeçare e Presidentit të zgjedhur dhe djali i tyre 10 vjeçar do të vazhdojnë të jetojnë në Trump Tower, në mënyrë që Barron të mund të vazhdojë mësimet në shkollën e deritanishme “Uper West Side”, shkruan The Post. “Melania është tepër e lidhur me Barron, dhe ata janë bërë edhe më të afërt gjatë kampanjës”, thonë burime të afërta me ekipin transitor të Trump-it. “Kampanja ka qenë e vështirë për Barron dhe ajo po shpreson që t’i mbajë problemet në minimumin e tyre”. Ndërsa një burim tjetër i The Post thotë se megjithatë Melania do të udhëtojë tërë kohën. “Melania është shumë mbështetëse në atë që po bën burri i saj dhe do të bëjë gjithçka që duhet të bëjë një Zonjë e Parë”. The Post shkruan se në fund të vitit shkollor pritet që më pas edhe Melania e Barron të lëvizin në Shtëpinë e Bardhë. Vendimi për të qëndruar në shtëpinë e tyre, do të bëjë që sigurimi të shtohet dukshëm rreth Trump Tower – dhe në këtë krijim sigurie do të përshihen edhe Shërbimi Sekret edhe Policia e New York-ut. “Ndërtesa do të bëhet Shtëpia e Bardhë e New York-ut”, thotë Jim Reese, ish komandat i Delta Forcës dhe President I TigerSwan, kompani globale e sigurimeve me bazë në Karolinën Veriore.