Shkup, 12 dhjetor – Në Maqedoni hidhet gati një e katërta nga sasia e përgjithshme e ushqimit nga marketet, restorantet, prodhuesit dhe distributorët. Këtë e tregojnë hulumtimet dhe analizat e bëra nga ana e Bankës për ushqim në Maqedoni, raporton gazeta KOHA. “Sipas përvojave tona dhe përvojat nga Federata Evropiane e Bankave për ushqim, ku jemi anëtare edhe ne, me sasinë e ushqimit i cili hidhet, 25 mijë njerëz mund të kenë ushqim të mirë çdo ditë gjatë tërë vitit”, thotë Dushko Hristov nga Banka për ushqim në Maqedoni.
Hulumtimi tregon se sipas numrit të banorëve, në listën prej 1 deri në 10, Maqedonia gjendet mes vendit të shtatë dhe të tetë për nga hedhja e ushqimit. Siç potencon Hristov, më shumë ushqim hedhin zinxhirët e distribuimit të produkteve të cilat janë me afat të shkurtër, pastaj restorantet dhe amvisëritë. Sipas anketave, 99 për qind e të anketuarve thanë se ata duan të dhurojnë ushqim, ndërsa 45 për qind e mbeturinave shtëpiake janë organike. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, deri në mars këtë vit janë regjistruar rreth 100 persona si të pastrehë, por ekspertët theksojnë se në teren është disa herë më e lartë. Statistikat tregojnë se 26 për qind nga familjet e varfra nuk mund të sigurojnë asnjë porcion me mish gjatë javës. Hristov thekson se nuk posedojnë numër konkret të pastrehuarve, por sipas informacioneve të tyre jozyrtare, vetëm në rajonin e Shkupit numri është mbi 80. Ekspertët paralajmërojnë se ushqimi i hedhur ka edhe koston e shpenzimeve të burimeve që shfrytëzohen për prodhim, si uji, toka, orë punuese, energji elektrike, karburant dhe harxhime të tjera. Hulumtimi është kryer në Tetovë, Shkup, Manastir dhe në Strumicë, ndërsa rezultatet e prezantuara janë vetëm nga Shkupi dhe Tetova, ku janë përfshirë 170 subjekte. Të dhënat tregojnë se këto 170 subjekte në vite prodhojnë 18.129 tonë ushqim, ku janë regjistruar 66 për qind tepricë, nga të cilët pjesa më e madhe përfundon në deponi. “Mijëra tonë ushqim, i cili është i mirë për konsumim çdo vit përfundon në deponi. Frutat dhe perimet, të cilat kanë qëndruar disa ditë, por nuk janë prishur, qumësht dhe mish me produktet e tyre të cilët janë para skadimit të afatit, bukë, ëmbëlsira dhe ushqime të tjera të paketuara, çdo ditë hidhen nga marketet dhe restorantet”, thekson Hristov. Ai sqaron se me miratimin e ligjit kjo situatë mund të zgjidhet përkohësisht. Banka para pesë viteve ka filluar iniciativën për miratimin e ligjit për mos hedhjen e ushqimit në Maqedoni, por atëherë nuk ka marrë asnjë përgjigje nga organet komptente. “Për momentin kemi takime bilaterale me subjekte të caktuara, të cilët janë në disponim ta dhurojnë ushqimin me afat të skaduar të përdorimit dhe para skadimit të afatit. Anketat tregojnë se 88 për qind nga subjektet janë të disponuar ta bëjnë këtë. Por patjetër duhet bashkarisht të sillet ky ligj, ashtu që do të jenë të kënaqur të tre palët: shteti, sektori i biznesit dhe gjithsesi ata që kanë nevojë më së shumti për ushqim”, thekson Hristov. Ai shton se vazhdojnë përgatitjet për këtë projekt ligj, por për shkak të zgjedhjeve nuk dëshiron të publikojë detaje që të mos dëmtohet neutraliteti i tyre. Banka për ushqim punon në krijimin e sistemit i cili vazhdimisht gjatë tërë vitit mblidhet ushqim për të gjithë ata që kanë nevojë, respektivisht më së shumti për të uriturit dhe të varfrit. Kështu, ata bëhen pjesëmarrës aktiv dhe zbatues të aksionit për luftën kundër varfërisë dhe urisë në vend dhe luftëtarë kundër hedhjes së ushqimit. Prej aty thonë se të dhënat e mbledhura do të jenë bazë për nxitjen e të gjitha subjekteve në shoqëri për menaxhimin e qëndrueshëm të ushqimit, reduktimin e mbeturinave të ushqimit, dhurimin eventual të ushqimit tepricë, si dhe nevojën e pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin e uljes së varfërisë. Si është gjendja në Evropë? Të dhënat e fundit nga raporti i Komisionit Evropian tregojnë se në Bashkimin Evropian në nivel vjetor hidhen më shumë se 100 tonë ushqim, gjegjësisht 180 kilogram ushqim në një banor. Sipas vlerësimeve të Komisionit, sasia e ushqimit deri në vitin 2020 do të rritet në 126 milionë ton. Në një situatë kur 20 për qind nga ushqimi i cili prodhohet në Bashkimin Evropian hidhet apo nuk është përdorur, dëmi është vlerësuar në 143 miliardë euro në vit dhe kjo nga autoritete evropiane është vlerësuar si e padrejtë. Shifrat tregojnë se vetëm numri në amvisëri bie 98 miliardë euro, në situatë kur 125 milionë njerëz janë të kërcënuar nga varfëria. Në ndërkohë, 55 milionë evropianë nuk mund të lejojnë një porcion të mirë të paktën çdo dy ditë. Sipas raportit, 42 për qind nga sasia e përgjithshme e ushqimit të hedhur ju përket amvisërive, ndërsa 39 për qind industrisë ushqimore. Për rreth 14 për qind nga ushqimi i hedhur përgjegjës janë restorantet, ndërsa për rreth 5 për qind nga ushqimi i hedhur janë marketet. Komisioni Evropian do të hetojë cilat rregulla evropiane duhet të ndryshohen dhe do të punojë për të hequr pengesat për rritjen e donacioneve dhe uljen e sasisë së hedhjes së ushqimit. Dispozitat për etiketat me datë “i përdorshëm deri në” dhe “më mirë të përdoret deri në” për shembull, shumë pak qytetarë i dallojnë, gjegjësisht më pak se gjysma e qytetarëve të cilat në mënyrë të konsiderueshme kontribuojnë në hedhjen e ushqimit në amvisëri. Ekspertët evropianë theksojnë se Parlamenti Evropian pas pyetjes për hedhjen dhe sigurinë e ushqimit, si një nga komunitetet më të avancuara dhe më të pasur në botë, ka përgjegjësi morale dhe politike të ulë sasinë e madhe të ushqimit që hidhet për çdo vit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.