Të dhënat nga Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë zbuluar se ka përhapje të duhanpirësve meshkuj në të gjithë botën. Vlerësohet se rreth 40 për qind e meshkujve të rritur konsumojnë duhan. Ndërsa te gratë numri i konsumuesve është vetëm 9 për qind. Pirja e duhanit është përgjegjëse për vdekjen e 600.000 njerëzve në mbarë botën çdo vit, nga 1.1 miliardë njerëz që rregullisht kanë konsumuar duhan gjatë vitit 2015. Ndërsa raportit i mungojnë të dhënat për shumë vende në Afrikë, ai ofron pasqyrë të kombeve me prezencë më të lartë të duhanpirësve. Shtetasit me përqindjen më të lartë të duhanpirësve të rritur meshkuj përfshinë, Rusia me 59 për qind, Kina me 47 për qind, Jordania me 70 për qind dhe Indonezia me një shumicë të madhe prej 76 për qind. Sa i përket shqiptarëve, ky raport ka paraqitur vetëm shtetin e Shqipërisë, ku vërehet një përqindje shumë e lartë e duhanpirësve. Në raport thuhet se 51.2 për qind e meshkujve shqiptarë të rritur konsumojnë duhan. Gjendje përafërsisht e njëjtë paraqitet edhe te fqinjët tanë. Në Serbi konsumi i duhanit tek meshkujt e rritur shkon në 43.6 për qind, në Bosnje 47.2, në Kroaci 39.4 për qind. Kurse, Sllovenia është vendi me më së paku konsumues të duhanit nga vendet e ish Jugosllavisë, me vetëm 22.3 për qind. Shumë vende megjithatë, janë duke shënuar një rënie në numrin e duhanpirësve, duke përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar. Sipas Statistikave Kombëtare në Mbretërinë e Bashkuar, numri i duhanpirësve të rritur ka rënë me 27% nga viti 1974.