Shkup, 15 dhjetor – Prej 22 nëntorit të këtij viti, Shkolla Fillore e Hasanbegut përfundimisht ka hequr emrin “25 Maji” nga përdorimi për komunikim të brendshëm, shkruan gazeta KOHA. Këtë emër, sikurse konfirmon drejtori Fadil Murtezani e përdorin vetëm nga zori, në komunikimin zyrtar me institucionet shtetërore, në rastet e transaksioneve për pagat e arsimtarëve, lëshimit të dëftesave dhe të ngjashme. Ndërsa për komunikim të brendshëm, shënimi në ditar, tabele, mirënjohje dhe shpërblime në emër të shkollës përdoret emri “22 Nëntori”. Madje, edhe dita e patronatit të shkollës është kthyer në këtë datë, e cila shënon ditën e Alfabetit të gjuhës shqipe. Njëlloj si me emrat e shkollave të Çairit, të cilat për nevojat e komunikimit të brendshëm përdorin emrat e heronjve shqiptarë, kurse për komunikim me institucionet shtetërore përdorin emrat e heronjve jugosllav. Me 25 majin, ditën kur në periudhën e socializmit festohej ditëlindja e ish-udhëheqësit Josip Broz Tito, shkollën fillore të Hasanbegut nuk e lidh asgjë e veçantë. Ai emër nuk ka asnjë vlerë për shkollën me 1445 nxënës, që të gjithë shqiptarë si dhe për 84 të punësuar në të. Mirëpo, insistimi i partive politike maqedonase për të bllokuar çdo iniciativë të shqiptarëve për të gëzuar të drejtën e pagëzimit të shkollave (të rregulluar me Ligj), ka bërë që në Maqedoni të kemi edhe paradokse të këtilla, pra shkolla me dy emra: një për veten dhe një për shtetin. Ne i kemi respektuar të gjitha procedurat ligjore për ndërrimin e emrit të shkollës dhe kemi katër vite që presim përgjigje nga ana e institucioneve tjera, që duhet të miratojnë kërkesën tonë. “Pasi kemi respektuar të gjitha ligjet, në emër të Këshillit të prindërve, Këshillit të arsimtareve dhe Këshillit drejtues të shkollës si dhe në emër të bashkësisë lokale kemi vendosur që tani e tutje 22 nëntorin ta kremtojmë edhe si ditën e patronatit të shkollës tonë”, deklaron për gazetën KOHA, drejtori Murtezani. Komunikimin, plotëson më tej ai, brenda shkollës e bëjmë me emrin e ri “22 Nëntori”. Mirëpo, “më duhet të jem i sinqertë dhe të pranojë se në komunikim zyrtar duhet ta përdorim emrin e vjetur “25 Maji”, meqë ky është emri të cilin e njohin institucionet shtetërore”. Ka katër vite që shkolla fillore e Hasanbegut ka dorëzuar në Ministrinë e Arsimit dhe në Komunën e Gazi Babës kërkesën për ndërrimin e emrit. Mirëpo, për shkaqet të cilat janë të njohura në opinion, nuk kemi marrë ende një përgjigje pozitive, pohon drejtori. Nga Komuna thonë se nuk kanë asgjë kundër pagëzimit të shkollës me emrin “22 Nëntori”, aq më tepër kur kjo datë në Maqedoni është edhe zyrtarisht festë kombëtare për shqiptarët. Mirëpo, është çështje politike derisa MASH dhe Komuna e Gazi Babës të gjejnë disponimin politik për legalizimin e emrave të shkollave shqipe. Thjeshtë, duhet që vetëm të formalizohen vendimet që janë sjellë nëpër shkolla konform Ligjit dhe të mos bllokohen procedurat. Edhe në rastin e shkollës së Hasanbegut, sikurse kërkohet me Ligj, propozimi për largimin e emrit të vjetër dhe zëvendësimin e tij me emrin e ri ka rrjedhë nga prindërit, respektivisht Këshilli i Prindërve. Ai vendim është mbështetur nga Këshilli i Arsimtarëve dhe është aprovuar më pas nga Këshilli Drejtues i Shkollës. Në rastin e kësaj shkollë, në Komunën e Gazi Babës nuk është dërguar kërkesa për miratim në Këshillin Komunal (ku duhet të nxirret vendimi përkatës), meqë shkolla është në pritje të “dritës të gjelbër” nëse propozimi do të mbështete nga ta, pra se do të votohet në Këshillin Komunal emri “22 Nëntori”. Drejtori Murtezani, thotë se presin që të merren vesh MASH dhe Komuna, pra klimën e nevojshme politike. Shkolla ka provuar të ndjekë edhe rrugën tjetër ligjore, atë të kërkesë për ndryshime statusore në MASH. Është dërguar në këtë Ministri Propozim-statuti i shkollës me emrin e ri. Miratimi i ndryshimeve në Statut, me automatizëm do të legalizonte emrin “22 Nëntori” të Shkollës fillore në Hasanbeg. Mirëpo, heshtje edhe nga ky institucion.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.