Shkup, 23 janar – Shfrytëzimi i mjeteve financiare nga programi IPA për bashkëpunim tejkufitar ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë për periudhën 2007-2013 paraqet 82 për qind, me 57 projekte të zbatuara me vlerë të përgjithshme prej mbi 10 milionë euro. Kjo u theksua në konferencën e sotme përfundimtare për prezantim të rezultateve të Programit IPA për bashkëpunim tejkufitar ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë 2007-2013, organizuar nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shkup. Ministrja e Vetëqeverisjes Lokale, Shiret Elezi, tha se për programin janë alocuar 31,5 milionë euro për financim të aktiviteteve të përbashkëta tejkufitare në pesë rajone në Greqi dhe katër rajone në Maqedoni. “Për Maqedoninë në disponim ishin 11,5 milionë euro me të cilët u financuan projekte në Rajonin Jugperëndimor, të Pellagonisë, të Vardarit dhe atë Juglindor. Janë implementuar gjithsej 57 projekte, për të cilat janë alocuar mbi dhjetë milionë euro për partnerët nga Maqedonia. Nga projektet përfundimtare të miratuara deri më tani mund të shihet se shfrytëzimi i mjeteve në nivel të programit paraqet mbi 82 për qind”, deklaroi Elezi. Theksoi se me aktivitetet nga programi janë ndërtuar objekte infrastrukturore në zonën tejkufitare, është mundësuar mbrojtja e trashëgimisë së përbashkët natyrore dhe kulturore, sigurimi i shërbimeve të volitshme shëndetësore dhe edukative, mundësimi i kushteve më të mira për punë të[ përbashkët biznesi si dhe ngjarje të përbashkëta kulturore dhe sportive. Shefi i delegacionit të BE-së në Maqedoni, Samuel Zhbogar deklaroi se bashkëpunimi tejkufitar është në thelbin e procesit të integrimit dhe paraqet punë ekipore që i tejkalon kufijtë e vendeve dhe garanton stabilitet politik dhe prosperitet të tërë rajonit. përfaqësuesi i trupit udhëheqës nga Greqia, Aleksandros Samaras, tha se qëllimi është ndërtimi dhe përforcimi i marrëdhënieve ndërfqinjësore nga të dyja anët e kufirit dhe se programi ka treguar dhe do të vazhdojë të jetë instrument i vlefshëm për zgjidhjen e problemeve në nivel rajonal, si dhe për rrjetëzimin e institucioneve dhe shfrytëzuesve nga të dy vendet. Ministria e Vetëqeverisjes Lokale menaxhon me zbatimin e Programeve për bashkëpunim tejkufitar me të gjitha shtetet fqinje në kuadër të të cilave nga ana e BE-së janë vënë në disponim 100 milionë euro të tjera. Ministrja Elezi theksoi se Programin e ri IPA 2 me Greqinë në dispozicion janë 40 milionë euro.