Pas fitores së parë për 2017-n në kampionat, Mërgim Mavraj shijon një tjetër sukses me Hamburgun. Mbrojtësi i Kombëtares u kualifikua në çerekfinale të Kupës së Gjermanisë duke eliminuar Këlnin, ekipin nga ku u transferua gjatë merkatos së dimrit. Ekipi vendas triumfoi 2-0, me nga një gol për çdo pjesë që mbajnë firmën e Gideon Jungut (5’) dhe Bobi Udit (75’). Të dy finalizimet e Hamburgut erdhën nga sulmet në qendër të mbrojtjes mike, çka tregon edhe një herë peshën që kishte 30-vjeçari në prapavijën e Këlnit. Për të mësuar kundërshtarin në çerekfinale, Hamburgu duhet të presë shortin që do të përcaktojë tetë ekipet e kualifikuara në katër çifte.