Laura PAPRANIKU
Shkup, 19 prill – Frika e nxënësve nga lënda e matematikës, respektivisht pasiguria e tyre për njohuritë e fituara në këtë lëndë, vazhdon të jetë evidente në Maqedoni, madje në masë shumë të madhe. Në bazë të numrit të kandidatëve që kanë paraqitur të japin provimet e maturës shtetërore 2017, për afatin e qershorit, del se për këtë lëndë janë përcaktuar jo më shumë se 12.6 për qind e maturantëve, shkruan gazeta KOHA. Pra, matematikën e kanë zgjedhur si lëndë për verifikimin e njohurive të tyre vetëm 2 070 maturantët nga 16 426 që përgjithësisht kanë bërë paraqitjen e provimeve të maturës në afatin e qershorit. Marrëdhëniet e nxënësve të shkollave të mesme me lëndën e matematikën, sikurse tregojnë të dhënat zyrtare, nuk janë të njëjta për nxënës të cilët mësojnë në gjuhë të ndryshme. Si duket, më tepër frikësohen nxënësit shqiptarë të cilët kanë përqindjen më të ulët të zgjedhjes së provimit në këtë lëndë. Nëse analizohen të dhënat për numrin e nxënësve sipas gjuhës në të cilën zhvillohet mësimi (e siguruar nga provimi i detyrueshëm në këtë lëndë), del se vetëm 5.4 për qind e maturantëve që mësojnë në gjuhën shqipe, kanë zgjedhur matematikën për provim të maturës shtetërore. Në përfundim të arsimit të mesëm katërvjeçar, siç dihet nxënësit u nënshtrohen verifikimit të njohurive në tri lëndë, provimet e të cilave kanë vlerësim ekstern, respektivisht notim të jashtëm. Për provimin e dytë, përcjell KOHA, të cilin maturantët duhet ta zgjedhin detyrimisht mes matematikës dhe anglishtes, nxënësit në mënyrë konstante i largohen lëndës së matematikës. Në nivele dukshëm më të ulëta është kjo zgjedhje tek nxënësit shqiptarë. Nga 5120 maturantë që kanë paraqitur provim të parë të detyrueshëm gjuhën dhe letërsisë shqipe, për provimin e dytë të detyrueshëm mes matematikës dhe anglishtes për lëndën e matematikës janë përcaktuar vetëm 274 nxënës ose 5.4 për qind e atyre që do japin shqipen si provim të parë. Te paralelet turke dhe maqedonase ajo përqindje është në shkallë më të lartë. Nëse detyrimisht provimin e gjuhës dhe letërsisë maqedonase e akne paraqitur 10632 nxënës, për matematikën janë përcaktuar 1749 ose 16.5 për qind. Ndërkaq te turqit, matematika është zgjedhur në nivelin e 11.2 për qindëshit, ose nga 47 nxënës prej 418 maturantë që do të kenë gjuhën dhe letërsinë turke provim të parë. Megjithëse këto përqindje nuk janë fikse, pasi maturantët nuk e kanë patjetër t’i paraqesin të gjitha provimet brenda të njëjtit afat, prapëseprapë janë shumë të përafërta me gjendjen reale.
Praktikisht, maturantët që mendojnë të vazhdojnë shkollimin në nivele më të larta (dhe kjo përqindje viteve të fundit është tepër e lartë), nxitojnë që të përfundojnë provimet e maturës shtetërore në afatin e qershorit, që të mund të sigurojnë më tepër gjasa për regjistrim në fakultet. Mund të ketë edhe raste të atilla kur maturantet i ndajnë provimet e maturës shtetërore në dy afate dhe konkurrojnë për t’u regjistruar në afatet e gushtit dhe shtatorit, por kjo është një përqindje e vogël krahasuar me maturantët që konkurrojnë në afatin e parë të regjistrimit në fakultete.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara