Laura PAPRANIKU
Shkup, 22 mars – Qyteti i Shkupit dhe komunat që gravitojnë këtu, nuk janë kompetente për funksionimin e shkollave artistike, atë të muzikës dhe vizatimit, prandaj edhe nuk ndjehen përgjegjëse për politikat e regjistrimit të nxënësve në këto shkolla. Sikurse është sensibilizuar vazhdimisht nga gazeta KOHA, në Shkollën e mesme të artit figurativ “Llazar Liçenovski” në Shkup, nuk është formuar asnjë paralele shqipe deri tani, ndërsa në shkollën e mesme të muzikës dhe baletit “Ilia N. Luj”, megjithëse ka paralele me nxënës shqiptarë, shpesh herë janë të kufizuara drejtimet në të cilat formohen paralele me mësim në gjuhën shqipe. Qemal Musliu, këshilltar në Qytetin e Shkupit, thotë se problemi i mos regjistrimit të nxënësve shqiptarë dhe llojet e drejtimeve që hapen aty, janë çështje që duhet parë në relacione të tjera dhe jo te Qyteti i Shkupit.
“Problemi nëse formohen ose jo paralele në këto shkolla, duhet kërkuar te Ministria e Arsimit dhe Shkencës, pasi merren me funksionimi e atyre institucioneve”, shpjegon për KOHA, Musliu. Prandaj, sipas tij, një rol pozitiv do të luanin edhe mësimdhënësit e lëndës. “Arsimtarët e muzikës dhe vizatimit janë në kontakt të drejtpërdrejtë me nxënësit dhe prindërit dhe mund të kontribuojnë shumë në orientimin dert shkollave artistike. Ne kemi shumë nxënës të talentuar, që mund të regjistrohen në këto shkolla dhe më pas të vazhdojnë edhe studimet”, vëren Musliu. Mirëpo, çështja, sipas tij, është si të bëhet hapi i parë. Duke u nisur nga përvoja e shumë shkollave tjera profesionale, këshilltari në Qytetin e Shkupit, është i sigurt se edhe në “Lazar Liçenovski” do të ketë shumë nxënës shqiptarë që do të duan të regjistrohen pasi të jetë formuar një paralele me mësim në gjuhën shqipe. Pra, kanë nevojë të jenë të sigurt së aty ka paralele për ta. Nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Shkup, gjithashtu kërkojnë që për paralelet e artit figurativ të tregohet një interesim më i shtuar nga ana e MASH-it. “Nuk është puna që vetëm të lejohen me konkurs ato paralele dhe më pas të lihen në mëshirën e fatit. Planifikimi i paraleleve është vetëm njëra anë e obligimeve të MASH-it, puna kryesore është formimi i atyre paraleleve për ët cilat MASH duhet të tregojë një angazhim më të shtuar”, deklaron kryetari Nuhi Dardhishta. Prandaj, thotë më tej ai, duhet që MASH në bashkëpunim me shkollat e mesme dhe shkollat fillore të krijojnë mundësitë reale për formimin e paraleleve në fjalë. Prindërit kanë nevojë të ndjehen të sigurt se paralelet do të formohen gjithsesi, pavarësisht numrit të nxënësve. “Shumë vite përpara kur LASH ndërmerrte iniciativa të këtilla ka pasur vërtetë prindër që i regjistronin fëmijët në këtë shkollë. Mirëpo, në fund paralelja nuk formohej me arsyetimin e nuk ka 24 nxënës”, tregon kryetari i LASH-it. Kjo përvojë, sikurse sqaron ai, krijoi atmosferë mosbesimi dhe për pasojë ka zbehur edhe atë pak interesim që tregohej dikur.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara