Nisma për Kosovën dhe Aleanca Kosova e Re (AKR) sapo kanë nënshkruar marrëveshje koalcioni për balotazhin në Drenas. Në Drenas në balotazh janë Ramiz Lladrovci i PDK-së dhe Isa Xhemajlaj i Nismës për Kosovën, raporton lajmi.net. Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj dhe kryetari i Mitrovicës nga radhët e AKR-së, Agim Bahtiri, të shoqëruar nga dy kandidatët për kryetar të Drenasit, kanë zyrtarizuar sot bashkëpunimin, nga i cili pritet që edhe AKR-ja të mbështet kandidatin e NISMA-s për kryetar të Drenasit. Me këtë rast, Limaj ka thënë se me këtë bashkëpunim, vullneti i qytetarëve të Drenasit do të shkojë në vend. Të pranishëm, përveç Limajt e Bahtirit kanë qenë edhe kandidati i NISMA-s për kryetar të Drenasit, Isa Xhemajlaj dhe Elmi Thaçi i AKR-së. Gjatë konferencës së përbashkët ka folur edhe Agim Bahtiri, sipas të cilit gjithashtu ka ardhur koha për ndryshime në Drenas. “Do t’ia dalim për arsye se vullneti i popullit ekziston”, është shprehur optimist Bahtiri. Ndryshe, kandidati Xhemajlaj do të jetë në garë së bashku me kandidatin e PDK-së, Ramiz Lladrovci, në rundin e dytë të zgjedhjeve në Drenas. Balotazhi në Drenas mbahet më 18 dhjetor.