Mediat amerikane raportojnë se pas ndeshjes së dytë finale të plej of-it në NBA në dhomat e zhveshjes së Klivlend Kavalirs vinte era marihuanë. Kjo ka ndodhur pas humbjes së dytë që Kavalirs pësuan në fushën e Golden Stejt me shifrat 132-113, me Uarriors që udhëheqin 2-0 serinë e finaleve. Nuk dihet ende nëse marihuana është përdorur nga stafi apo lojtarët e Kavalirs, nga ndonjë punonjës i stadiumit apo dikush tjetër. Ky skandal është evidentuar nga gazetari Brajan Uindhorst, por edhe mjaft media të tjera kanë konfirmuar këtë ngjarje kur kanë hyrë në dhomën e zhveshjes së ekipit mik. Edhe gazetari Majk Uise ka konfirmuar këtë ngjarje, e cila për momentin nuk ka fajtor. Përdorimi i marihuanës në Kaliforni është legal, ndaj kjo nuk përbën një krim, por fakti që u gjend në dhomat e zhveshjes përbën një skandal.