Zejnulla VESELI
Shkup, 23 maj – Marrëveshja CEFTA-2006 është marrëveshje gjithëpërfshirëse e tregtisë së lirë, e cila ka për qëllim liberalizimin e plotë të tregut në rajon si dhe trajtimin e barrierave të ndryshme jo tatimore për tregtinë, shkruan gazeta KOHA. Në këtë drejtim, disa vende anëtare shkelin marrëveshje me vendosjen e masave të njëanshme të ndalesës së produkteve në shtetet importuese, duke paraqitur kështu harxhime shtesë si dhe vonesën e mallrave në vendin ku duhet të futen këto prodhime.
Arben Halili, nga Oda e Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, thotë se edhe pse një ndër parimet themelore në aspektin ekonomik të vendeve anëtare të CEFTA-së është realizimi i këmbimit tregtar pa barriera tregtare dhe qasje direkte në një treg më të gjerë me kushte të barabarta konkurruese, Maqedonia si anëtare e CEFTA-s nuk ka respektuar marrëveshjen, sidomos kur bëhet fjalë për produkte te ndryshme bujqësore që importohen nga Shqipëria dhe Kosova për në tregun e Maqedonisë.
“Megjithatë, shpesh ka ndodh që të ketë edhe veprime të njëanshme nga ana e vendeve të caktuara kundrejt një vendi tjetër anëtarë të CEFTA-së. Më vitin 2014, në emër të mbrojtjes së prodhimit të grurit, Maqedonia vendosi masa mbrojtëse kundër prodhimit të grurit dhe miellit nga Kosova, port të njëjtën nuk e beri edhe ndaj Serbisë, pas çka Kosova iu përgjigj me masa reciprociteti për të gjitha prodhimet nga Maqedonia”, thotë Halili.
Sipas Halilit ndoshta është paradoksale, por pikërisht me dy vendet me të cilat Maqedonia ka këmbim tregtar më pozitiv, çdoherë krijon mosmarrëveshje tregtare. “Në atë luftë tregtare, ne si vend humbëm më shumë, sepse mungesa e prodhimeve nga Maqedonia, u mundësoi prodhuesve dhe tregtarëve nga vendet e tjera, e veçanërisht nga Serbia të rivendosen në tregun Kosovar”, thotë Halili. Po ashtu, Halili thotë se pothuajse çdo vit, prodhuesit dhe tregtarët nga Shqipëria ballafaqohen me probleme të shitjes së prodhimeve të tyre në Maqedoni, veçanërisht të prodhimeve bujqësore, ku edhe përkundër faktit të posedimit të certifikatave për analizën e prodhimeve dhe rregullshmërinë e tyre, të njëjtave u kërkoheshin të ribëheshin, vetëm e vetëm që të vonohej koha e dorëzimit të porosive në kohë në tregun e destinuar të Maqedonisë.
“Vetëm me Kosovë, gjatë muajt janar 2017, këmbimi tregtar ka qenë 1.425.691,000 denarë, nga të cilat si eksport janë 1.303.243,000 denarë, kurse vetëm 195.813,000 denarë janë import. Situatë e njëjtë paraqitet edhe me Shqipërinë”, thotë Arben Halili nga OEMVP-ja.
Shqipëria si nënshkruese e marrëveshjes së CEFTA-s, disa herë ka tërhequr vërejtjen autoritete doganore maqedonase, se çdoherë kur në doganat e Maqedonisë nuk është zbatuar në tërësi dhe mallrat e bujqve shqiptarë duke ndaluar në kufirin e Maqedonisë dhe më javë nuk është lejuar të futen në tregun e Maqedonisë, edhe pse kanë poseduar certifikata të cilësisë së produkteve. “CEFTA nuk është 100 për qind e zbatueshme nga ana e vendit fqinjë, Maqedonia. Edhe pse përpjekjet nga doganat rajonale janë nga të gjitha vendet, prapë kompanitë kanë vonesa në dogane, përsëri kërkohen dokumente shtesë, përsëri nuk njihen certifikatat reciproke të cilësisë së produkteve, sidomos produktet e qumështit, produktet e mishit, produktet farmaceutike. Mbetet akoma punë për t’u bërë, ju nevojitet qeverive tona ta përditësojnë marrëveshjen e CEFTA-s, në mënyrë që të përfitojnë bizneset vendase dhe të zhvillohet bashkëpunimi ekonomik rajonal në shkëmbimin e produkteve dhe shërbimeve”, thonë për KOHA nga Dhoma e Tregtisë së Shqipërisë. Edhe nga zyra e CEFTA-s në Prishtinë shprehen se disa herë kanë sjellë vendime që janë në kundërshtim me këtë marrëveshje, por se të njëjtat janë ndërmarrë për shkak se edhe vende tjera të rajonit, siç janë Serbia, Maqedonia, kanë sjellë vendime në nivel të qeverive të tyre për të parandaluar tregtimin mallrave nga Kosova drejt vendeve të tyre.
“Pikërisht këto shtete fqinje, e sidomos Maqedonia shume herë kanë aplikuar procedura të komplikuara për kalimin e mallrave kosovare në vendkalimet kufitare, duke kërkuar dokumentacione shtesë apo kryerjen e kontrollit të mallrave, edhe pse kjo është në kundërshtim të marrëveshjes CEFTA. Kështu, Qeveria e Kosovës ka vendosur menjëherë masa reciprociteti për të detyruar vendet e rajonit, respektivisht shtetin fqinjë që menjëherë të shfuqizojnë vendimet e mëparshme”, thonë nga zyra e CEFTA-s në Kosovë.
Nga zyra e CEFTA-s në Shkup, pranojnë se shpesh me vendime të njëanshme pothuajse të gjitha vendet anëtare shkelin marrëveshjen, por deri më sot asnjëri nga këto vende nuk është sanksionuar. “Kohë pas kohe vendet anëtare miratojnë vendimet, të cilat janë në kundërshtim me marrëveshjen CEFTA, mirëpo deri më sot asnjëra nga këto vend nuk është sanksionuar. Si masë e vetme sanksionuese ndaj këtyre vendimeve të njëanshme, e që janë në kundërshtim me Marrëveshjen për tregti të lirë të mallrave, është përdorur vendosja e masave reciproke”, thonë nga zyra e CEFTA-s në Shkup. Edhe afaristët nga Maqedonia, të cilët importojnë mallra nga Shqipëria dhe Kosova ankohen se mosrespektimi i plotë i marrëveshjes ju paraqet harxhime shtesë kompanive dhe kërkojnë procedura më të shpejta dhe më të thjeshta në pikat kufitare.
“Sa i përket marrëveshjes së CEFTA-s janë disa gjëra që nuk zbatohen. Shembull është njohja e certifikatave të produkteve në mënyrë reciproke, ndaj dhe paraqiten kontrolle të produkteve në shtetet importuese dhe harxhime shtesë dhe bëhet vonese e mallrave në vendin e duhur”, shprehet për KOHA, afaristi Xhemail Ramadani.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara