Shkup, 15 mars – Po, në Maqedoni është e ndaluar dhe të përmendet fjala federalizim. Në të kundërtën, nëse ju bëni këtë, ju akuzojnë se jeni kundërshtar, se jeni kundër shtetit dhe i cili dëshiron ta ndajë vendin. Kjo ndodhi së fundmi me LSDM-në dhe me Deklaratën e partive shqiptare. Nga këto akuza përfitojnë ata të cilit kanë sundim autoritar. Kështu ka shkruar diplomati belg, Piter Vanhautte në tekstin me titull: “Fjala e ndaluar-federalizim”, i publikuar në një internet blog. “Por, duhet të shohim pse federalizimi nuk paraqet fatkeqësi, edhe për shtetin siç është Maqedonia. Mbarë botën, 40 për qind nga popullata jeton në vende me strukturë federale. Mes shteteve të tilla janë dhe vendet e mëdha si SHBA dhe India, si dhe vendet e vogla Belgjika dhe Austria. Shumica e vendeve federale janë stabile dhe nuk janë drejtë shkatërrimit”, shkruan Vanhoutte. Ai thekson se federalizmi përdoret për zgjidhjen e konflikteve. “Që nga vitet e nëntëdhjeta, shpesh e shohim se federalizmi përdoret si mjet efektiv për zgjidhjen e konflikteve. Përparsi e madhe është që komunitetet mund të fitojnë të drejta të barabarta nga qeveria qendrore. Ajo krijon stabilitet për të cilin ka nevoj Maqedonia. Nga vitit 2001, Maqedonia de-facto ka disa karakteristika të një shteti federal, me pranimin se qeveria duhet të formohet mes një partie më të madhe nga komuniteti shumicë dhe një parti nga komuniteti i dytë shumicë. Por, kjo nuk i zgjidh të gjitha çështjet”, konsideron diplomati belg. Vanhautte siguron se Maqedonia mund të përfitojnë nga pranimi i faktit se të gjithë qytetarët janë të barabartë. “Pa marrë parasysh sugjerimet e disa liderëve politikë në Maqedoni, vendi nuk do të zhduket me pranimin e faktit se të gjithë qytetarët janë të barabartë. Shteti nuk do të zhduket me njohjen e gjuhës së dytë. Përkundrazi, pranimi se jetoni në udhëkryq të kulturave të ndryshme paraqet fitim. Ekonomia juaj, arsimi, hulumtimet shkencore dhe kultura mund të përfitojnë nga kjo. Shumëllojshmëria është një mjet për forcimin e shtetit, e cila ju duhet për të krijuar një të ardhme më të mirë”, përfundon Vanhautte. (koha.mk)