Laura PAPRANIKU
Shkup, 13 janar – Pavarësisht karakterit multietnik të shtetit, Maqedonia nuk e reflekton të njëjtën në arsim, shkruan gazeta KOHA. Kur janë në pyetje realizimi i të drejtave kolektive, sikurse është edhe shkollimi në gjuhën amtare, jo të gjithë nxënësit e realizojnë në nivel të njëjtë këtë të drejtë. Pjesëmarrja e nxënësve, sipas përkatësisë etnike në shkolla dhe përqindja e shkollave në një gjuhë të caktuar, flasin për raport jo të drejtë. Më të privilegjuar sikurse tregojnë shifrat janë maqedonasit, të cilët dominojnë shkollat fillore dhe të mesme për nga paralelet që hapen në atë gjuhë dhe pas tyre serbët, për të cilët hapen paralele edhe kur s’kanë nxënës.
Në grupimin e shkollave me mësim në një, dy dhe tre gjuhë, përqindje shumë e vogël e institucioneve arsimore frymojnë multietnicitet. Kështu, nga gjithsej 106 shkolla të mesme publike, të cilat funksionojnë në Maqedoni, vetëm në 10 prej tyre (9.4 për qind) mësimi zhvillohet në tre gjuhë, respektivisht në maqedonisht, shqip dhe turqisht. Madje, edhe shtrirja e këtyre shkollave është në komuna më shumicë shqiptare si Tetova, Gostivari, Struga dhe Çairi. Sakaq, nuk është në nivele kushedi sa të larta as përqindja e shkollave ku mësimi zhvillohet në dy gjuhë maqedonisht – shqip apo maqedonisht – turqish. Në total numri i këtyre shkollave është 28, pra 26.4 për qind e numrit të përgjithshëm të shkollave të mesme, prej të cilave 26 shkolla (22.6 për qind) kanë paralelet edhe në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën shqipe, kurse në 2 (1.8 për qind) mësohet në gjuhën maqedonase dhe turke. Çuditërisht, por shumë e vërtetë: në shtetin multietnik të Maqedonisë dominojnë shkollat një-gjuhëshe (monetnike). Numri i këtyre shkollave në vitin 2016/2017 është gjithsej 86, pjesa dërmuese në gjuhën maqedonase. Vetëm me mësim në gjuhën maqedonase janë 61 shkolla (57.5 për qind), kurse vetëm në gjuhën shqipe 7 shkolla ose 6.6 për qind. Këto ndarje nuk përputhen në asnjë rast me përqindjet reale të nxënësve sipas përkatësisë etnike në shkolla. Në Konkursin për regjistrim të nxënësve në shkollat e mesme, në bazë të paraleleve të lejuara rezulton se 18.8 për qind janë planifikuar të hapen në gjuhën shqipe (pra 196 paralele nga gjithsej 1042 paralele). Pra, pjesëmarrja me paralele e shqiptarëve është trefish më e larët se përqindja e shkollave ku mësimi zhvillohet vetëm në gjuhën shqipe. Ndërkaq, për maqedonasit jo vetëm përqindja e shkollave, por edhe e paraleleve është më e lartë. Po sipas atij Konkursi, për maqedonasit u lejuan 196 paralele ose 81.7 për qind, për turqit 23 paralele (2.2 për qind) dhe për serbët 1 paralele (0.1 për qind), e cila nuk formohet asnjëherë pasi nuk ka nxënës të interesuar. Se këto nuk janë përqindjet reale të pjesëmarrësve në shkollë sipas përkatësisë etnike dihet mirëfilli. Tregues më i mirë është padyshim numri i nxënësve. Vetëm në Shkup, qershorin që kaloi arsimin nëntëvjeçar e mbaruan 5416 nxënës. Prej tyre 3180 (58.7 për qind) në gjuhën maqedonase dhe 39 për qind në gjuhën shqipe. Në nivel shteti, pjesëmarrja e gjysmëmaturantëve shqiptar pëson rënie, por jo më poshtë se 35 për qind.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.