Maqedonia është fituese e çmimit për stendën më të organizuar në panairin për turizëm EMITT në Stamboll, Turqi, një nga pesë panairet më të mëdha dhe më të vizituara internacionale për turizëm në botë. “Në konkurrencë nga më shumë se 80 shtete dhe mbi 5.000 institucione të vendosura nga 12 halla, stenda e Maqedonisë është shpallur si më e organizuara për vitin 2017, në panairin e 21-të për turizëm në Stamboll. Panairi në Stamboll është vizituar nga 46.670 vizitorë në periudhën prej 26 deri më 29 janar, ndërsa të pranishëm kanë qenë 450 tur-operatorë nga 55 vende”, kumtoi Agjencia për promovim dhe mbështetje të turizmit në Republikën e Maqedonisë. Nga atje theksojnë se në Stamboll e kanë prezantuar natyrën, kulturën dhe përmendoret osmane në Maqedoni, duke i përfshirë edhe traditën e Maqedonisë dhe vizitat turistike të qyteteve. “Stenda e Maqedonisë është vizituar nga ministri turk i Kulturës dhe Turizmit, Nabi Avxhë, si dhe nga sekretari i përgjithshëm i Organizatës botërore turistike Taleb Rifai, të cilët kanë shprehur kënaqësi nga pjesëmarrja e Maqedonisë në panair dhe i kanë potencuar bukuritë e saj natyrore duke i ndarë impresionet e tyre personale”, theksojnë nga Agjencia. Në stendën e Republikës së Maqedonisë, bashkë-egzibitorë kanë qenë tur-operatorët e Maqedonisë, Bademtur, Gjeneral Turist, Fibula, Ballkantime dhe Vardar ekspres, ndërsa stendën e kanë vizituar edhe ambasadori i Maqedonisë në Turqi, Zhivko Mucunski, konsulli Sinisha Ivankoviq dhe promotorja ekonomike Filiz Veli. Vitin e kaluar Maqedonia e ka marrë vendin e parë për miqësi në panairin e turizmit EMITT në Stamboll, Turqi.