Prej një muajsh thuajse çdo ditë protestuesit maqedonas lëvizin nga ndërtesa qeveritare në parlament, për t’u ndalur pak edhe përpara qendrës informative të BE. Ata mbajnë flamujt verdhë e kuq dhe çadrën si simbol të diellit nga flamuri i Maqedonisë. “Makedonija” është fjala që dëgjohet më shpesh nga të bërtiturat e protestuesve. Jemi këtu për shkak të patriotizmit dhe dashurisë për mëmëdheun, thonë ata shkruan media më e vjetër botërore “Wiener Zeitung”. Mëmëdheu është në rrezik, është fraza tjetër e dëgjuar nga protestuesit maqedonas. Ngjashëm thekson edhe presidenti Gjorgje Ivanov se me mandatimin për kryeministër e liderit opozitar Zoran Zaev cënohet sovraniteti dhe integriteti i Maqedonisë. Partia e dytë më e fuqishme LSDM ka arritur marrëveshje me partitë shqiptare, mes tyre edhe zyrtarizimin e gjuhës shqipe si gjuhë e dytë në disa fusha. Sesi rrezikohet sovraniteti i Maqedonisë me shkrimin e monedhave edhe në gjuhën shqipe dhe paraqitja e kontratave edhe në gjuhën shqipe në komunat shqiptare, nuk sqarohet nga presidenti. Kjo ka sjellur tensionim të situatës ndëretnike. OBRM e Nikola Gruevskit ka koalicionuar një kohë të gjatë me partinë shqiptare BDI, por së fundi ajo nuk ka gjetur partner koalicioni.
DEBATI I ZHURMSHËM PARLAMENTAR
Nuk është e vështirë të kuptohet hezitimi i presidentit Ivanov, që rrjedh nga partia konservatore e VMRO-së. Nëse ndryshohet Qeveria dhe Gruevski me shokë humbin imunitetin, atëherë mundet që së shpejti ata të ulen në bankën e të akuzuarve. Për këtë prej tre javësh kemi obstruksione brenda Parlamentit dhe protesta jashtë saj. Më pas, media vjeneze tregon rezymenë e krizës maqedonase filluar nga skandali i përgjimeve dhe presionit mbi organizatat kritike jo-qeveritare.
“KRIJO NJË ARMIK, PËR TI ANASHKALUAR PROBLEMET REALE”
Udhëheqja e Komitetit të Helsinkit, Uranija Pirovska, ka theksuar se problemet e sotshme vijnë për të mbuluar problemin real. “Metoda është krijo një armik, për ti anashkaluar problemet reale”. Nga këto nuk ka pak. Vendi ka dështuar të integrohet në strukturat euro-atlantike dhe NATO. Kontesti i emrit me Greqinë është i pazgjidhur. Ekonomia nuk ka rritje më të madhe sesa 3 për qind, ndërsa papunësia përkundër që është ulur vitin e kaluar përsëri çdo i katërti është i papunë. Të ardhurat mesatare qëndrojnë 400 euro për kokë banori në muaj, as sa një e treta në krahasim me mesataren e BE. Për shkak të krizës politike vërehet edhe krizë e investimeve. Drejtori ekzekutiv i OEMVP, Fatmir Bytyqi, e formulon problemin shumë qartë: “Ekonomia e shtetit është zaptuar nga një grup i vogël i politikanëve”.
PERSPEKTIVA JASHTË SHTETIT
Sipas disa anketave ndaj të rinjve, 78 për qind e tyre kërkojnë punë në sektorin publik, 12 për qind në sektorin privat, ndërsa çdo i dhjeti më së miri kërkon perspektivë në vend të huaj. Por shifra që kërkon të largohet duhet të jetë shumë më e madhe, pasi vetëm pesë vitet e fundit Maqedoninë e kanë lëshuar 400.000 persona. Rreth një e katërta e tyre kanë një pasaportë evropiane, gjysma e tyre të Bullgarisë. Shifrat i ka publikuar agjencia BIRN: nga 2005 deri në 2015 pasaportën bullgare e kanë marrë 58.000 maqedonas, ndërsa 49.000 shtetas të Maqedonisë kanë marrë pasaportën në ndonjë vend tjetër të zonës Shengen – Zvicër, Itali, Gjermani ose Austri. Emigrantët zakonisht janë të ri dhe të mirë arsimuar. Emigrimi nuk shihet vetëm si problematik për Maqedonisë, pasi remitencat përbëjnë një të pestën e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Por në shumicën e vendeve emigrantët pas një kohe mendojnë të kthehen në vendlindje me motivime dhe projekte të reja. Kjo ka pak gjasë të ndodh në Maqedoni.