Rinovimi i “Etihad Stadium” të Manchester City do të kompletohet sezonin e ardhshëm me skuadrën e trajnerit Pep Guardiola që do të shijojë një tjetër stad të artitit arkitektonik, teksa do të akomodohet në një dhomë zhveshje në formë rrethore. Projekti madhështor që po zhvillohet nën “Colin Bell Stand”, inkorporon një tunel prej xhami përmes të cilit do të ecin futbollistët nga dhomat e zhveshjes drejt fushës së blertë dhe anasjelltas, i dizenjuar për tifozët VIP, në mënyrë që këta të fundit të mund të shijojnë nga afër dhe në mënyrë ekskluzive disa prej yjeve më të mëdhenj të botës së futbollit, teksa ecin pranë tyre. City ka publikuar tashmë disa rendera “imazhe të projektuara” të asaj që do të jetë në të ardhmen. Në ato imazhe shfaqet gjithçka që ata, të cilët do të paguajnë ekstra, do të kenë privilegjin të shohin dhe të shijojnë, nëpërmjet një restoranti të ri ekzekutiv me pamje të plotë të të dyja ekipeve teksa dalin nga dhomat e zhveshjes.
Gjithçka do të jetë plotësisht gati dhe e freskët për fillimin e sezonit 2017-18, me bosat e klubit që insistuan në faktin se ambientet aktuale kishin nevojë të domosdoshme për një rinovim dhe përmirësim të dhomave të zhveshjes, për të qenë në të njëjtin nivel me elitën e kontinentit. Mes shumë të tjerëve, projekti për ndërtimin e një dhome zhveshje në formë ovale u konsultua edhe me trajnerin e skuadrës, Pep Guardiola. Një koncept i ri ky që bazohet në dizajnin e kompleksit stërvitor të klubit, që ndodhet aty pranë. Klubi ishte i vendosur gjithashtu se skuadra duhet të posedonte të gjitha pajisjet dhe mjetet më të avancuara në fushën përgatitore dhe atë riaftësuese, me pishinat e reja të hidroterapisë, gati të instalohen, në mënyrë të tillë që yjet e ekipit të mund t’i përdorin ato menjëherë në përfundim të ndeshjeve.
Në projekt për tu ndërtuar është edhe në sektor ekstra për zhvillimin e nxehjes para ndeshjes. Ambientet e dhomave të zhveshjes nuk ishtin rinovuar që nga viti 2011 dhe City ishte i shqetësuar që të mos qëndronte pas standardeve të rivalëve në shtëpi, sikurse dhe në Champions League. Forma e dhomës së zhveshjeve u vendos në mënyrë që të pasqyronte edhe Akademinë e Futbollit të City, duke mundësuar gjithashtu që gjithësecili në atë dhomë të jetë i barabartë dhe me fushëpamje të plotë të gjithësecilit. Mësohet se Guardiola ka dhënë porositë e tij edhe në lidhje me zyrën e tij të re në Etihad, me projektin që ishte ende në hartim, që para se të transferohej nga Bayern Munich.
Kjo paraqitje e re e mikpritjes do të afrojë tifozët me futbollistët, më shumë se çdo herë tjetër dhe mendohet se është tuneli i parë i xhamit në stadiumet e futbollit në Europë. Koncepti realisht bazohet në stadiumin aktual të Dallas Cowboys’ AT&T Stadium, në futbollin amerikan NFL. Puna ndërtimore është gati të nisë dhe Sportsmail bën me dije se duke nisur nga muaji janar i vitit të ardhshëm, City do të përdorë një tjetër tunel. Ndryshimi provizor do të bëjë që skuadra të dalë në fushë nga shumë pranë flamurit të goditjes së këndit, në fundin e “Tribunës Veriore”. Kjo do të ndodhë përpara aksesit të paprecedentë që do tu ofrohet zotëruesve të biletave të mikpritjes gjatë sezonit të ardhshëm. Anëtarët e klubit të tunelit do të shohin teksa futbollistët dalin nga nëpër tunelin e xhamit për të qëndruar në fund të tij, në pritje që arbitri t’i udhëheqë ata drejt fushës.