Shkup, 30 qershor – Numri i punëtorëve në industri në maj është rritur për një për qind në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, kumtoi Enti Shtetëror i Statistikave, shkruan gazeta KOHA. Përveç kësaj, është rritur edhe prodhimi industrial për 9,2 për qind. Të dhënat e publikuara tregojnë se është rritur numri i punëtorëve për 1,2 për qind në industrinë përpunuese, ndërkaq është ulur për 0,4 për qind në sektorin Xehetari dhe nxjerrje e gurëve edhe për 0,5 për qind në sektorin Furnizim me energji elektrike, gaz, avull dhe klimatizim. Sipas grupeve kryesore industriale, rritje është vërejtur tek Energjia për 0,7 për qind, Prodhimet intermediare, përveç energjisë për 3,6 për qind, Prodhimet kapitale për 11,9 për qind dhe prodhimet e qëndrueshme për konsum të gjerë për 4,2 për qind, përderisa rënie ka tek prodhimet e paqëndrueshme për konsum të gjerë për 3,2 për qind. Në periudhën prej janarit deri në maj ka rritje të numrit të punëtorëve për 0,5 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Prodhimi industrial në muajin maj është rritur për 9,2 për qind në krahasim me muajin e njëjtë vitin e kaluar, publikoi Enti Shtetëror për Statistikë. Parë nëpër sektore, rritje ka në sektorin Xehetari dhe nxjerrjen e gurëve për 7,7 për qind, në sektorin e Industrisë përpunuese për 8,8 për qind dhe në sektorin Furnizim me energji elektrike, gaz, avull dhe klimatizim për 13,8 për qind. Në sektorin Industria përpunuese rritja është rezultat para së gjithash i prodhimit të rritur në pjesën e produkteve përpunuese, pijeve, produkteve të duhanit, tekstilit, produkteve të fabrikuara metalike, përveç makinave dhe pajisjeve dhe prodhimit të automjeteve motorike, rimorkiove dhe gjysmërimorkiove. Sipas grupeve kryesore industriale, rritje ka tek Energjia për 18,1 për qind, Produktet intermediare, përveç energjisë për 6,8 për qind, Produkteve kapitale për 23,5 për qind, Produkte të qëndrueshme për konsum të gjerë për 4,9 dhe Produkte jo të qëndrueshme për konsum të gjerë për 1,6 për qind. Në periudhën janar-maj lidhur me periudhën e njëjtë vitin e kaluar ka rritje prej 0,6 për qind. (koha.mk)