Kryeprokurori i Antimafies italiane, Franco Roberti, deklaron se mafiozët italianë po vriten me njëri-tjetrin për shkak të “lumenjve të hashashit” që trafikohen nga Shqipëria. Zyrtari i lartë i Drejtësisë në Itali, vrasjen e tmerrshme të ndodhur në Foggia të Italisë, e ka lidhur, veç të tjerash, edhe me trafikun e drogës nga Shqipëria. “Konflikti është ndezur rreth trafikut të drogës, sidomos të drogave të lehta që vijnë nga Shqipëria. Një biznes kolosal që ushqen oreksin e klaneve dhe që përfshin gjithë bregun e Adriatikut, nisur nga ai foxhian deri në Evropë”, deklaroi kreu i Prokurorisë së Antimafies italiane, Franco Roberti. Ai ka thënë se në luftën ndaj trafikut të drogës, të dyja vendet duhet të bëjnë më tepër. “Duhet bërë më shumë, edhe në planin e bashkëpunimit ndërkombëtar për të ndaluar lumin e drogave të lehta që vijnë nga Shqipëria, sepse janë pikërisht ato që çojnë në shpërthimin e konflikteve”, ka thënë më tej kryeprokurori italian i Antimafies. Ai ka bërë me dije se ka zhvilluar takime konkrete me zyrtarët e Shqipërisë në lidhje me nevojën e hetimeve të përbashkëta dhe të goditjes së fenomenit të trafikut të drogës, shkruan Panorama. “Ishim në Shqipëri muajin e kaluar për të kërkuar bashkëpunim, takuam në Romë ministrin e Brendshëm shqiptar, që premtoi bashkëpunim më të madh. Duhet të fitojmë mbi omertan dhe për ta bërë këtë, duhet krijuar një kulturë e ligjshmërisë që në atë territor është ende periferik”, theksoi më tej kryeprokurori italian i Antimafies, në një intervistë të dhënë për “Rai Uno”. Sipas Robertit, përplasjet mes klaneve në Pulia vijojnë prej 30 vjetësh me një bilanc prej 300 vrasjesh, nga të cilat 80% kanë mbetur pa u zbuluar. Shkaku i zgjimit të kësaj lufte të egër, duket se vjen nga Shqipëria, pasi sipas autoriteteve italiane bëhet fjalë për sasitë e mëdha të kanabisit që mbërrijnë në brigjet italiane nga Shqipëria.