Ylli i popit Madona është shpallur “Gruaja e vitit” nga revista “Billboard”, një vlerësim i shumëmerituar për këngëtaren energjike që sfidon moshën e nuk tërhiqet nga skena. Muzikantja veterane e konsideron këtë lëvizje si pikën kulmore të vitit për të, si në planin profesional, ashtu dhe në atë personal. “Arritja më e madhe, ashtu siç e shoh unë, ishte përfundimi i turneut, fakti që i bëra çdo natë spektaklet e mira dhe ndërkohë duhet të përballesha me sfidën e të qënit një nënë, që vazhdon të mbetet një sprove për mua. Të jesh nënë e mirë e në të njëjtën kohë të jesh artiste nuk është lehtë, por ja që duhet t’i bësh të gjitha”, deklaroi këngëtarja. 58-vjeçarja, nënë e katër fëmijëve tregoi me krenari xhaketën ku ishte stampuar fjala greke “Euterpe”, që do të thotë sipas saj, “perëndeshë e muzikës që sjell gëzim”. Ylli i muzikës, Shania Twain u cilësua një “Ikonë” nga revista e njohur muzikore, nderim ky të cilin e pranoi me përulësi. “Gratë në këtë dhomë janë të mrekullueshme. Pothuajse nuk e besoj dot që jam sot këtu me të gjitha ato bashkë. Kjo frymë e mbështetjes femërore, ky komunitet i madhështisë së gruas, të vesh me fuqi”, u shpreh ajo. “Artiste e vitit” është shpallur një këngëtare e re në botën e country-t, Maren Morris, e cila ka fituar katër nominime Grammy. Në mesin e emrave të tjerë të vlerësuar lart nga “Billboard Magazine” është Halsey, ylli i në rritje Alessia Cara dhe Kesha.